Nga bariste në Kongresin Amerikan, dokumentar për 29-vjeçaren

schedule17:30 - 1 May, 2019

schedule17:30 - 1 May, 2019

Nga një bariste në një restorant në Nju Jork, në deputeten më të re në moshë të kongresit amerikan. Gjiganti Netflix ka zgjedhur pikërisht 29-vjeçaren Alexandria Ocasio-Cortez si personazhin kryesor të dokumentarit më të fundit.

Duhej humbja e një deputeti demokrat me peshë si Joe Crowley, anëtar i dhomës së përfaqësuesve për shtetin e Nju Jork nga 1999 deri në 2019-n, që të realizohej ëndrra amerikane e Alexandria Ocasio-Cortez.

Kështu nga një bariste e drejt në politikë, ngritja në skenë e të resë së lindur në Bronx befasoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tërhoqi vëmendjen e Netflix. Një dokumentar i publikuar në 1 Maj me titull “Knock Down the House”– “Rrëzo Dhomën e Deputetëve”, përshkruan jetën e 29-vjeçares.

Dokumentari hedh dritë në prapaskenat e rritjes politike të gruas që është bërë parlamentarja më e re në moshë e zgjedhur në Kongresin amerikan. Një super yll i fortë dhe me personalitet të madh, e katapultuar papritur mes më të mëdhenjve të politikës.

Pasi mundi deputetin Crowley, jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht. Vetëm dy vjet më parë, përditshmëria tipike e Ocasio-Cortez ishte mbledhja e firmave për kandidaturën e saj në kolegjin e Nju Jork, para se të shkonte në punën e saj, si bariste në një  restorant.

Vetë ajo shprehet se puna me njerëz në atë restorant e kishte përgatitur për garën në politikë. Kjo sepse është mësuar të qëndrojë në këmbë 18 orë në ditë, të bisedojë hapur dhe të mësohet me njerëzit që synojnë ta bëjnë të ndihet keq./abcnews.al