Nga banesat, akset rrugore e dëmtimet në rrjetin elektrik, Hoti detaje për përmbytjet në Kosovë

schedule18:37 - 8 Janar, 2021

schedule 18:37 - 8 Janar, 2021

Situatë shqetësuese për shkak të kushteve të këqija atmosferike është raportuar edhe në Kosovë. Disa zona janë përballur me përmbytje për shkak të reshjeve të dendura.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka raportuar gjendjen në Kosovë.

Në një analizë të gjatë Hoti thotë se Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve për shkak të reshjeve. Po ashtu bën me dije se në disa komuna uji është futur në banesa, po ashtu dëme janë paraqitur edhe në rrjetin e energjisë elektrike.

Lexo edhe: Moti i keq dhe me reshje, disa zona të përmbytura në Kosovë

Malisheva dhe disa fshatra rreth saj janë përfshirë nga përmbytjet. Për shkak të situatës së krijuar ekipet e emergjencës janë në terren për të parandaluar problemet.

Më tej ai shton se nëse do të ketë përkeqësim të situatës mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Reagimi i plotë i kryeministrit Avdullah Hoti:

GJENDJA NGA RESHJET E SHIUT

Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, me shtabet lokale dhe me të gjitha institucionet e tjera të përfshira.

Varësisht nga situata, mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas të dhënave nga Qendrat Operative:

  • Në Komunën e Drenasit – uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit.
  • Në Komunën e Prizrenit – ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana.
  • Në Komunën e Malishevës – janë bllokuar disa rrugë afër QMF-së, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë. Ekipet reaguese janë në vend ngjarje.
  • Në Komunën e Rahovecit – janë vërshuar disa rrugë poshtë qytetit dhe në fshatrat Gexhe dhe Kramovik.
  • Në Komunën e Pejës – ka vështirësi në pikë kalimin kufitar “Kullë” dhe në aksin rrugor Pejë–Rugovë, ndërkaq rruga për në fshatin Kuqishtë ka vështirësi të mëdha kalimi.
  • Në Komunën e Klinës – nga të reshurat e shiut ka filluar me shpejtësi rritja e nivelit të lumenjve, në disa fshatra kanë filluar të vërshohen tokat bujqësore, në fshatin Ozdrim janë rrezikuar dy familje nga depërtimi i ujit në shtëpi.
  • Në Komunën e Gjakovës – ka pasur disa pengesa në rrugët e qytetit nga vërshimet.
  • Në Komunën e Junikut – ka pasur bllokim rruge në tri lokacione në fshatin Gjocaj si pasojë e rrëshqitjes së dheut.
  • Në regjionin e Pejës – janë raportuar një numër i madh i defekteve në rrjetin e energjisë elektrike.

Ekipet janë duke intervenuar sipas nevojave dhe mundësive për intervenim.

Ftohen qytetarët të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve në disa lokacione.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!