Neymar duhet të paraqitet përpara prokurorëve në Brazil. Ylli i PSG akuzohet se do të organizojë një festë gjigante për Vitin e Ri, ndonëse vendi është në kushte pandemie.
Nuk mbarojnë telashet jashtë fushe për të. Këto kohë superylli i futbollit, Neymar, po përmendet më shumë për ngjarje që nuk kanë lidhje me sportin dhe ja ku vjen lajmi se në Brazil kanë nisur hetimet ndaj tij.
Ylli i Paris SG është urdhëruar të paraqitet në zyrat e Prokurorisë në Rio de Zhaneiro, pasi akuzohet se synon të organizojë një festë me 150 të ftuar me rastin e Vitit të Ri. Festa thuhet se do të zhvillohet në kompleksin e Neymar, 65 kilometra larg Rios.
Mes të tjerash njoftohet se të ftuarve u është kërkuar që të dorëzojnë celularët në hyrje, në mënyrë që të mos ketë rrjedhje informacioni. Po ashtu shkruhet se shumë modele kishin marrë avionin për të qenë të pranishme në aktivitet.
Prokurorët njoftuan se futbollisti u ftua që të jepte hollësi lidhur me festën, numrin e të ftuarve dhe masat e marra për mbrojtjen e shëndetit. Avokatët e lojtarit, ndërkaq, hodhën poshtë që klienti i tyre të kishte lidhe me këtë festë.
Më herët, Neymar u akuzua në media se kishte organizuar një festë me praninë e 500 personave, ndërsa është vendosur nën kritika të ashpra. Brazili është vendi i dytë në botë për numrin e viktimave nga koronavirusi pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke pasur mbi 192 000 të vdekur. /abcnews.al