E pamundur të mos lexosh lajme për dëshirën e Barcelonës që të transferojë brazilianin Neymar. Ylli i PSG edhe vetë e dëshiron një lëvizje të tillë, por do i duhej të pranonte një ofertë shumë më të ulët, pasi katalanasit nuk ia plotësojnë dot kërkesat financiare në këtë periudhë krize.
Te Barcelona ndërkohë po mendojnë edhe për një plan B dhe rivalizojnë me Manchester United për Jadon Sancho, anësorin e talentuar të Borussia Dortmund. Sigurisht në listë mbetet edhe Lautaro Martinez i Interit, për të cilin thuhet se e ka ndarë mendjen dhe do vetëm katalanasit.
“Sport” raporton se për Sancho klubi gjerman kërkon 130 milion euro, ndërkohë që Dortmund është i interesuar për talentin Ansu Fati. Klubi spanjoll është gati të përfshijë edhe ndonjë lojtar tjetër në marrëveshje, për të bërë të mundur transferimin e Jadon Sancho. Gjithsesi për momentin është një plan B, pasi dëshira e madhe është transferimi i Neymar. /abcnews.al