Neymar nis stërvitjen me shokët e skuadrës

schedule18:00 - 3 Gusht, 2019

schedule 18:00 - 3 Gusht, 2019

Nejmar i ka dhënë fund bojkotit tek Paris Sen Zhermeni, por kriza mbetet. Sulmuesi brazilian humb 5 milionë euro nga rroga, ndërsa klubi ka dhënë një ultimatum ndaj tij

I është bashkuar shokëve në stërvitje, por duket diçka e sforcuar.

As që mund të mendohet se Nejmar ka bërë paqe me Paris SG, pavarësisht mbështetjes që po i jepet, të paktën në dukje.

Trajneri Tomas Tuhel del me fytyrë të qeshur përpara gazetarëve, dhe përpiqet të thotë fjalë të mira.

“Unë e pashë atë në stërvitje në nivelin më të lartë, në nivelin e Nejmarit”, – shprehet gjermani.

Shoku kryesor i skuadrës, Kilian Mbape, po ashtu, del hapur dhe flet butë.

“E gjithë bota e di sesi janë punët, – shprehet francezi, – ai stërvitet si gjithnjë shumë mirë. Unë dua që ai të rrijë me ne, ai e di mendimin tim sepse kam folur hapur dhe me respekt. Unë e admiroj atë”.

Çdo të ndodhë me Nejmarin?

Transferimi tek Barcelona është shumë e vështirë të kryhet (të paktën, siç janë lajmet tani), por edhe qëndrimi në Paris duket shumë i papërshtatshëm.

Si mund të luajë një lojtar në një skuadër, duke mos qenë i harmonishëm aty, kur nuk ka dashur të luajë dhe nuk ka respektuar shokët?

Për më tepër, gazeta “L’Ekip” shkruan se PSG nuk i ka ulur aspak pretendimet për kartonin e brazilianit dhe vazhdon të kërkojë 300 milionë euro.

Ndërkaq, 5 milionë euro rrogë në vit kanë “fluturuar” për Nejmarin, pasi 2 milionë euro ishte gjoba për vonesat, dhe 3 milionë euro ikin sepse sulmuesi nuk e fiton dot trofeun e FIFA-s “Më i miri”, pasi nuk është mes 10 finalistëve.

Si për t’i vënë vulën marrëdhënieve të shkatërruara në klub, del edhe videoja ku Nejmari nuk dëshiron të takojë drejtorin sportiv, Leonardo, të cilin e konsideron fajtor që nuk po mundet të shkojë tek Barcelona.

Afati I lënë nga klubi mbetet 10 gushti, ditë kur e ardhmja e brazilianit duhet të sqarohet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!