Neymar: Messi nuk ka pasur vite të mira te PSG, e dija më parë që do të largohej

schedule09:54 - 20 Korrik, 2023

schedule 09:54 - 20 Korrik, 2023

Neymar ka pranuar se periudha e tij e fundit me Messin në Paris ishte zhgënjyese, se ata kishin kaluar kohë të këqija te PSG dhe se ai e dinte se do të largohej nga klubi francez.

“E pyeta, javët e fundit pata dyshime dhe ai më tregoi. Messi ka fituar gjithçka. Familja e tij ishte shumë e prekur në dy vitet e fundit në PSG. Unë e kuptoj atë dhe ai do të shkojë në një vend ku do të pritet mirë. Ai do të jetojë një jetë krejtësisht ndryshe dhe familja e tij do të ndihet shumë mirë në Miami. Ishte një zgjedhje e mirë. Ishin vite të vështira së bashku.

Champions League? Real Madrid nuk e fitoi Championsin. Ne kishim një ekip të fortë. Messi, Mbappe dhe unë jemi më të mirët në botë, e dimë këtë, por për fat të keq nuk ndodhi. Ne donim të fitonim gjithçka, por futbolli ndonjëherë nuk është i drejtë. Nuk është si receta për një tortë”, shpjegoi ai.

Për problemet me tifozët parisien dhe vazhdimësinë e tij në PSG, Neymar theksoi se ka një kontratë dhe se shpreson të vazhdojë në skuadër.

“Deri tani askush nuk më ka thënë, jam i qetë. Edhe pse nuk ka shumë dashuri mes tifozëve dhe lojtarëve, do të jem atje. Me dashuri ose pa dashuri, por me Neymar.”

Një nga deklaratat e yllit brazilin ka qenë synimi i tij për të dhënë dorëheqjen nga kombëtarja e Brazilit pas humbjes në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Kroacisë.

“Sinqerisht, nuk doja të kthehesha. Mendova për këtë sepse nuk doja ta kaloja përsëri atë dhimbje të humbjes dhe të shikoja familjen time duke vuajtur, por ata do të duhet ta durojnë përsëri. Duhet të jem atje akoma. Dhoma e zhveshjes më dukej si një funeral, njëri duke qarë pranë tjetrit. Ishte e tmerrshme. Një ndjesi që nuk dua ta përjetoj më. Më mirë të mos kisha shënuar. Të kishte shkuar 0-0 dhe të humbisja një penallti, se sa të shkonim në goditjet e penalltive dhe të mos fitonim”, është shprehur Neymar në një intervistë./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!