Vinicius Junior ende nuk e ka treguar potencialin e tij te Real Madrid. Braziliani i blerë nga spanjollët për shumën e 45 milion eurove te Flamengo ka cilësi, por herë-herë tregohet egoist. Marcelo Lins Martins, ish-përgatitësi atletik i Bayern Munich, mendon se Vinicius mund të kthehet në një lider të Brazilit.
Sigurisht kjo arrihet me punë dhe nuk duhet harruar se sulmuesi anësor është vetëm 20 vjeç. “Vinicius është te Real Madrid dhe është një lojtar shumë i ri. Nëse do të kenë durim me të dhe punohet pa ngut, atëherë ai është një lojtar që mund të bëhet Neymari i ri”, ka thënë për “Marca” Martins.
Më tej ai flet edhe për brazilianët e tjerë: “Gabriel Jesus te Manchester City gjithashtu ka shumë potencial, ndërsa në Brazil ka lojtarë si Gabriel Henrique dhe Gabigol që u pëlqejnë njerëzve. Nëse bëhet punë e mirë me zhvillimin e të rinjve, do të shohim që do të prodhohen shumë lojtarë. Brazili gjithmonë ka pasur disa nga lojtarët më të mirë në botë.
Gjithsesi edhe Europa ka bërë një hap të madh përpara. Për mua braziliani më i mirë është Neymar, ai është një lojtar i plotësuar. Ai improvizon dhe ka aftësi të mëdha, është i aftë në duelet një kundër një, finalizon dhe asiston për shokët. Neymar është një lojtar shumë i mirë. Mendoj se ende mund të maturohet dhe të rritet akoma më shumë”. /abcnews.al