Bledar Koka është rikthyer në Pressing në ABC dhe si zakonisht fokusi është te Tirana dhe lëvizjet e fundit. Gazetari, i njohur edhe si një tifoz i Tiranës, analizon atë që ndodhi me trajnerin Nevil Dede, i larguar pak minuta para ndeshjes me Laçin për shkak të ndërhyrjes së drejtuesve për formacionin.
“Mendoj se si Nevili, si Dabulla (i pranishëm në studio), e çdo figurë e Tiranës ka përgjegjësinë të ndalë shfaqje të tilla. Duke parë se si u largua Egbo, me sabotim, flamurtarët kanë detyrimin të ulërijnë kur bëhen gabime. Dabulla është këtu me ne dhe po analizon.
Faji i parë është i Nevilit. E kam thënë këtu që të mos shkojë. Kam pasur rezerva për vendosjen e Tiranës dhe për rezultatin. Mos ta pranonte, për mënyrën se si e hoqën paraardhësin”, tha fillimisht Koka, ndërkohë që Alpin Gallo ndërhyri dhe e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen, por theksoi se pas ndeshjes do ishte larguar duke i dhënë dorën presidenti Refik Halili.
“Tirana është e lodhur, por ka ende mundësi për ta kthyer në shinat e duhura për kupat e Europës. Duhet të kthehet Tirana te moduli 4-2-3-1 dhe të besohet te Seferi në sulm. Duhet të tërheqë pak Muçin, pasi ka marrë pak kot. Ose ndryshe ka marrë më shumë se sa mund të mbajë mbi shpatulla”. /abcnews.al