Në emisionin “War Report” në ABC News, eksperti i sigurisë Redion Qirjazi analizoi zhvillimet më të fundit në konfliktin Izrael–Palestinë, duke komentuar planin me 21 pika të propozuar nga Presidenti Donald Trump, si një përpjekje për armëpushim dhe pranimit të Benjamin Netanyahut për të vendosur paqen në Rripin e Gazës.
Sipas Qirjazit, dokumenti i paraqitur ngjan më shumë me një deklaratë politike sesa me një plan konkret dhe i përshkruan lëvizjet e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu si sinjale të një presioni të madh ndërkombëtar. Eksperti thekson se, pavarësisht deklaratave publike dhe ndjesës ndaj Katarit, mbetet e lartë mundësia që marrëveshja të mos realizohet, ndërsa forcat izraelite pritet të vazhdojnë praninë në Rripin e Gazës.
“Momentalisht duket si një deklaratë. Këto 21 pika duken më shumë si një deklaratë se sa një plan. Nuk do të habitesha se nëse Netanyahu është vënë me shpatulla pas muri. Ai jo më larg se dje justifikoi veprimet që ka bërë dhe sot bëri një ndjesë publike për Katarin. Ky veprim tregon se ka një vendim strategjik. Netanyahut i duhet më shumë që ta pranojë publikisht dhe më pas të veprojë në terren. Me shumë probabilitet do të gjenden shumë justifikime që marrëveshja të mos realizohet. Duket sikur kjo gjë është ofruar në tryezë. Cili është interesi i Amerikës?! Që të jetë si polici global i paqes. Izraeli vendos sanksione ndaj Palestinës dhe nuk kërkon një zgjidhje mes dy shteteve. Probabiliteti është që forcat e Izraelit të vazhdojnë të jenë në Rripin e Gazës”, tha eksperti i sigurisë./abcnews.al

