Kryeministri Benjamin Netanjahu ka dënuar qëndrimin e vendeve të Bashkimit Europian, të cilët kanë dënuar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Ai u shpreh se nuk e pranon hipokrizinë e Europës e cila vepron me dy standarde.
“Respektoj Europën por nuk jam i gatshëm të pranoj standardin e saj të dyfishtë”. Në këtë mënyrë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka komentuar qëndrimin e vendeve europiane lidhur me çështjen e Jeruzalemit. Netanjahu, ka shpjeguar se ka dëgjuar nga Europa “zëra që dënojnë vendimin historik të presidentit amerikan, Donald Trump, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë për lëshimet e raketave kundër Izraelit dhe nxitjen e tmerrshme kundër shtetit hebre. “Nuk pranoj këtë hipokrizi”, tha kryeministri izraelit.
Shefi i qeverisë së Tel Avivit, i cili do të takohet me presidentin e Francës, Emanuel Makron përpara se të udhëtojë për në Bruksel, theksoi se do të paraqesë në këto vizita “të vërtetën e Izraelit me kokën lart”.
Ndërkohë, rikthimi i dhunës dhe përleshjeve në Lindjen e Mesme erdhi pas vendimit të Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Bilanci mbetet tejet tragjik, 4 palestinezë janë vrarë nga policia e izraelit. Gjithashtu nga përleshjet kanë mbetur të plagosur mbi 750 persona./abcnews.al