Zona kufitare midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit duhet të jenë nën kontrollin e Izraelit, ka thënë të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, teksa parashikoi se lufta në enklavën palestineze dhe në frontet e tjera rajonale do të zgjasë edhe më shumë muaj, raportoi Reuters.
Netanyahu mbajti konferencë për media derisa Izraeli hyri në javën e 13-të të luftës.
“Korridori i Filadelfit – ose për ta thënë më saktë, pika e ndalimit jugor (të Gazës) duhet të jetë në duart tona. Duhet të mbyllet. Është e qartë se çdo marrëveshje tjetër nuk do të siguronte çmilitarizimin që ne kërkojmë”, ka thënë ai.
Izraeli ka thënë se synon të shkatërrojë Hamasin në Gaza dhe të çmilitarizojë dhe deradikalizojë territorin në mënyrë që të parandalojë çdo përsëritje të vrasjeve dhe rrëmbimeve ndërkufitare të 7 tetorit nga Hamasi.
“Lufta është në kulmin e saj. Po luftojmë në të gjitha frontet. Arritja e fitores do të kërkojë kohë. Siç ka thënë shefi i shtabit (IDF), lufta do të vazhdojë edhe për shumë muaj të tjerë”, është shprehur Netanyahu.