Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron të forcojë bashkëpunimin ekonomik me Italinë, siç tha ai përpara vizitës së tij në vend, duke rritur mundësinë e furnizimit të Romës me gaz natyror.
“Unë do të doja të kishte më shumë bashkëpunim ekonomik midis Izraelit dhe Italisë. Unë besoj se një marrëdhënie më e ngushtë me kompanitë tuaja do të jetë pozitive për të dyja palët,” tha Netanyahu në një intervistë për gazetën italiane Repubblica të botuar sot.
“Ne kemi gaz natyror dhe unë do të doja të diskutoja se si ta transportojmë atë në Itali për të mbështetur zhvillimin ekonomik.”
Italia është zotuar të zëvendësojë importet e energjisë nga Rusia në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Në qershor të vitit të kaluar, Izraeli dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje me BE-në që synon të rrisë eksportet e gazit natyror në Evropë.
Në nëntor, Izraeli nënshkroi gjithashtu një marrëveshje në parim me TotalEnergies dhe Eni, duke lejuar kompanitë energjetike të fillojnë kërkimet për gaz natyror si pjesë e një marrëveshjeje historike për kufirin detar të Izraelit me Libanin.
Netanyahu, i cili po përballet me protesta në vendin e tij kundër planit të qeverisë së tij për reformën në drejtësi, mbërrin sot në Itali për një vizitë tre-ditore.
Siç tha ai për La Repubblica, ai do t’i kërkojë kryeministres italiane Giorgia Meloni të njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
“Unë besoj se është koha që Roma të njohë Jerusalemin si kryeqytetin e popullit hebre për 3000 vite, siç kanë bërë SHBA në një gjest miqësie të ngushtë,” tha kryeministri izraelit.
/abcnews.al