Netanyahu: Do aneksojmë kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor

schedule22:50 - 10 Shtator, 2019

schedule 22:50 - 10 Shtator, 2019

Në përpjekje për të siguruar rizgjedhjen, kryeministri i Izraelit Beniamin Netanjahu u ka premtuar votuesve se në rast fitoreje do të aneksojë të gjitha kolonitë hebraike. Duke reaguar, pala palestineze ka deklaruar se një lëvizje e tillë do të asgjësonte çdo shans për paqen.

Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu ka deklaruar se do të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor nëse rimerr detyrën javën e ardhshme. Ai ka bërë të ditur se do të aplikojë sovranitetin e Izraelit edhe në Luginën Jordaneze dhe në veri të Detit të Zi, një lëvizje kjo që ka gjasa të mbështetet nga partitë e djathta, me të cilat Netanjahu synon të bëjë koalicion. Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor që prej vitit 1967, por i ka ndalur aneksimet. Netanjahu, që udhëheq partinë e djathtë Likud, po bën fushatë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen të martën e ardhshme. Sondazhet sugjerojnë se Likud ndodhet kokë më kokë me partinë Bardheblu të qendrës dhe për të siguruar qeverisjen mund të formojë një koalicion. “Nëse ju, qytetarë të Izraelit, më jepni një mandat të qartë, zotohem se me formimin e qeverisë së re sovraniteti i Izraelit do të shtrihet në Luginën Jordaneze dhe në veri të Detit të Zi”, ka thënë Netanjahu. Sa i takon kolonive hebraike në Bregun Perëndimor, kryeministri izraelit ka shtuar se do të presë derisa presidenti Donald Trump të publikojë planin e tij për paqen mes Izraelit dhe Palestinës. Sipas tij, e ashtuquajtura “marrëveshja e shekullit” do të publikohet disa ditë pas zgjedhjeve. Por duke reaguar, diplomati palestinez Saeb Erekat ka deklaruar se një aneksim i tillë do të varroste çdo shans për paqen. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!