Nesër vijnë të tjera, Nelaj: E vërteta e skadencës së vaksinave kineze dhe dozat për “turizmin”

schedule20:52 - 16 Prill, 2021

schedule 20:52 - 16 Prill, 2021

Drejtoresha e programit të vaksinimit, Erida Nelaj u shpreh sonte në Radarin Informativ në ABC se nesër pritet që të vijnë në Shqipëri një tjetër sasi vaksinash AstraZeneca. “Aktualisht mendoj që nuk ka më sasi AstraZeneca, mund të ketë diku në Elbasan, Tirana ka përfunduar sasinë e saj. Nesër presim sasi të tjera AstraZeneca që të vijnë. Është e njëjta vaksinë si herën e parë, pjesë e COVAX-it” tha ajo.

Nelaj sqaroi se përse sot në Tiranë është parë një mungesë e njerëzve për të marrë dozat. “Ndoshta ka të bëjë me mënyrën e vaksinimit, pasi drejtohen të qendra shëndetësore dhe pika e stadiumit, thjesht për të ulur fluksin në shesh. Mungesë të vaksinave nuk ka pasur. Më shumë dyndje ka në mëngjes dhe fluksi bie në drekë. Ne kemi ende sasi të coronavax, kemi 50 mijë të paprekura, por duhet të kemi kujdes për të ruajtur dozat e dyta”.

 

Aktualisht theksoi Nelaj po vaksinohet me coronavac, Sputnik dhe Pfizer. Por kush po vaksinohet me Pfizer? “Me Pfizer po vaksinohen personat që kryejnë dializë, pasi studimet kanë treguar se këta lloj personash kanë nevojë për një vaksinë të tillë, po ashtu ata që kanë kryer transplante të organeve, pastaj të personave të tjerë me specifika, kryesisht të lidhura me imunitetin”.

Në vijim të bisedës, drejtoresha e programit të vaksinimit sqaroi edhe denoncimin e ish-kryeministrit Sali Berisha mbi datën e skadencës së vaksinave kineze. “Ne jemi mësuar të shikojmë në flakon datën e skadencës dhe kjo krijoi një problem në momentin e parë, pasi në vaksinën coronavax, nga sinovac e paketuar në Turqi, ata me ligjin e tyre nuk vendosin datën e skadencës, por datën finale të prodhimit, ajo është data finale kur është paketuar në flakon, por ne kemi të gjitha certifikatat e analizave, të gjithë informacionin, se është data e prodhimit. Data e skadencës në dosjen që ne kemi nga vetë sinovac është 19 shkurt 2022, për 100 mijë dozat” tha ajo.

Në fund të bisedës, Nelaj tha se vaksinimi i stafit të hoteleri turizmit pritet që të nisë me dozat AstraZeneca. “Besoj që shumica do të jenë nga sasia që vjen nesër dhe në vijim. Ndoshta do të jetë vaksina AstraZeneca” përfundoi ajo./ db/ Abcnews.al