Nesër seanca e jashtëzakonshme, a do të marrin pjesë partitë opozitare?

schedule23:43 - 14 Janar, 2022

schedule 23:43 - 14 Janar, 2022

Edhe pse partnerët ndërkombëtar kanë bërë thirrje që t’u lejohet mbajtja e referendumit serb në territorin e Kosovës, partitë opozitare e shohin të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në Kosovë.

Kjo u bë shkak që nesër të thirret seancë e jashtëzakonshme ku pritet të diskutohet mbi referendumin serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.

Sipas tyre, kjo seancë është e panevojshme, edhe pse mbajtja e këtij referendumi në Kosovë përben shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues.

“PDK e sheh krejt të pa nevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës nesër do të mblidhet për të vendosur a do të jenë pjesë e kësaj seance. Kështu tha për Gazetën Express, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Megjithëkëtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e nesërme.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka për Gazetën Express tha se do të marrin pjesë nesër në seancë ku do të diskutohet për referendumin serb në territorin e Kosovës.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!