Nesër dorëzohen listat, apeli i fundit nga SHBA: Kandidatët të pastër, përgjegjës kryetarët e partive

schedule21:06 - 7 Mars, 2021

schedule 21:06 - 7 Mars, 2021

Nesër në mesnatë është afati i fundit që partitë duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim në një mesazh publik, drejtuar partive politike në Shqipëri, u kërkon liderëve që në listë të mos përfshijnë persona me probleme, por figura të pastra.

Ambasadorja është mjaft e qartë kur drejton gishtin nga kryetarët e partive, të cilët thotë se do i bëjë përgjegjës nëse në lista ka emra problematikë, referuar ligjit shqiptar dhe listës së zezë amerikane.

Nesër është afati i fundit që partitë të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. SHBA ka qenë jashtëzakonisht e qartë në lidhje me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, duke përfshirë në lidhje me ligjet shqiptare dhe emërtimet nga Sekretar i Shtetit (referuar personave të futur në listën e zezë).

 

Shqiptarët më thonë se shqetësimi i tyre më i madh është se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse udhëheqësit shqiptarë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendime të vështira të nevojshme për një të ardhme më demokratike për shqiptarët.

Ne presim që krerët e partive të demonstrojnë lidershipin e vërtetë. Ne do t’i bëjmë përgjegjës drejtuesit e partive. Ne gjithashtu do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa shqyrton dorëzimin e listave të kandidatëve, e cila është një detyrë që duhet të ndërmerret para së gjithash në emër të votuesve shqiptarë’ mbyllet mesazhi i Kim.

Në javët e fundit, si në takimet me drejtuesit e partive por edhe publikisht Yuri Kim ka bërë thirrje disa herë që listat të jenë të pastra. Emri i deputetit Tom Doshi, i futur në “listën e zezë” nga SHBA, që kandidon me PSD është risjellë disa herë në vëmendje nga ambasadorja amerikane./ db/ Abcnews.al