“Nëse luani në Super League, ëndërrojeni Botërorin”, FIFA ultimatum klubeve

schedule15:54 - 21 Janar, 2021

schedule 15:54 - 21 Janar, 2021

Në muajt e fundit është folur shpesh për krijimin e një kompeticioni të ri, që do të bënte bashkë klubet më të forta të Europës. Kjo ide është hedhur poshtë nga UEFA dhe FIFA, të cilat tashmë i kanë bërë dhe një paralajmërim të gjithë lojtarëve të cilët do të marrin pjesë në këtë event.

“FIFA dhe gjashtë konfederatat (AFC, CAF, Concacaf, CONMEBOL, OFC dhe UEFA) theksojnë se nëse do të krijohet një kompeticion i ri i ashtuquajtur “Super League”, nuk do të njihet nga FIFA dhe konfederatat përkatëse. Çdo klub apo lojtar i përfshirë në një garë të tillë nuk do të lejohet më pas të marrë pjesë në eventet e organizuara nga FIFA apo konfederatat përkatëse”, shkruhet në deklaratën zyrtare.

Kujtojmë që Liverpool e Manchester United janë dy nga klubet pro idesë së krijimit të Super League. Ndërkohë edhe ish-presidenti i Barcelonës, Joseph Maria Bartomeu, deklaronte se klubi i tij po shikonte çdo mundësi për të marrë pjesë në event. I vetmi që i ka dalë kundër deri më tani është CEO i Bayern Mynich, Karl Heinze Rummenigge, i cili thekson se një kompeticion i tillë do ta shkatërronte futbollin. /abcnews.al