Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për takimin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë ato në Uashington e më pas në Bruksel.
Haziri është shprehur pesimist se mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë marrëveshje para zgjedhjeve në SHBA.
“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje para nëntorit. Unë i kam humbur shpresat. Kjo për shkak se iku muaji gusht. Po të kishte ndonjë takim atëherë kur edhe u shty, e një tjetër më pas në Bruksel, mbase Shtatori do të ishte muaji i Kosovës, por tash nuk besoj”, tha mes të tjerash Haziri në Kanal10.
Kujtojmë se më 4 shtator do të mbahet takimi mes delegacioneve të larta të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Takimi është njoftuar nga emisari special i SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell dhe në të pritet të finalizohen marrëveshje ekonomike.