Nënkryetari i bashkisë së Selanikut, Efthimios Chatziththeoklitos ka dhënë një intervistë për emisionin “N’kufi” të gazetares Linda Karadaku, ku flet për komunitetin shqiptar atje, peripecitë që iu është dashur të kalojnë si dhe integrimin e tyre në shoqërinë greke.
Ai thotë se shqiptarët kanë kaluar kohë të vështirë në Greqi, duke thënë se u përballën me një mjedis jo shumë miqësor, por shtoi se tashmë ata janë integruar
“Shqiptarët kanë pasur kohë të vështira këtu në Greqi. Kur erdhën, erdhën në kushte, shumë, shumë, shumë të vështira, si nga vendi I tyre, erdhën nga malet, nëpër dëborë, të ngrirë, disa humbën jetën, ne e dimë këtë. Pastaj erdhën këtu dhe gjetën një mjedis jo fort miqësor, por ata punojnë fort dhe fëmijët e tyre tani janë në një pozicion shumë të mirë në shoqërinë tonë, janë pjesë e shoqërisë sonë.”, u shpreh ai.
Intervista e plotë:
NENKRYETARI I BASHKISE SE SELANIKUT EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Pikë së pari është kënaqësia ime të jem me ju këtu dhe të jap këtë intervistë për miqtë tanë të Shqipërisë, Selaniku është një qytet I bukur, por Tirana është gjithashtu një qytet shumë I bukur. Isha atje para një vit dhe u befasova me zhvillimin dhe rrugët e bukura, dhe parqet dhe ndërtesat e reja. Dhe sigurisht kisha jonë e krishterë, ne humbëm patriarkun 15-20 ditë më parë, por kisha do të ecë përpara. Dhe lidhur me komunitetin shqiptar, ne kemi marrëdhënie shumë të mira, I përket shoqërisë që të mbështesë emigrantët dhe refugjatët, dhe është një këshill për emigrantët dhe refugjatët, dhe në këtë mënyrë sigurisht që luajnë një rol thelbësor, dhe sigurisht unë kënaqem me pjesëmarrjen në ditën e Shqipërisë dhe jam shumë I lumtur që marr pjesë. Dhe ishte një takim shumë i këndshme në bibliotekën kombëtare me mësuesit dhe ishte edhe një mësuese e vjetër që ishte këtu që prej 35 vjetësh dhe iu jepte mësim gjuhën shqipe dhe greke shqiptarëve të rinj që kanë lindur këtu dhe është sigurisht detyra juaj e komunitetit shqiptar që të mbështesë të rinjtë që të njohin historinë dhe traditat e prindërve të tyre.
ABC NEWS: Ju keni qenë në kontakt me komunitetin shqiptar dhe keni parë kulturën, traditat tona dhe gjuhën natyrisht, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje kur bëhet fjalë për kulturën dhe traditën tonë?
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Ata dinin shumë mirë historinë e Shqipërisë, dhe kjo është shumë inkurajuese për vazhdimin e ndjenjave të tyre patriotike. Ne na pëlqen që të huajt integrohen në shoqërinë tonë, por është gjithashtu shumë e rëndësishme që ata ruajnë traditën e tyre dhe njohuritë për rrënjët e tyre. E njëjta gjë është për grekët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, në Evropën veri-perëndimore, dhe unë e kisha zakon të thosha që jam fëmijë emigrantësh, sepse babai im erdhi kur ishte 6 vjeç nga Azia e Vogël, dhe baba emigrantësh sepse të dy djemtë e mi janë në Evropë. Gjithashtu, unë kam jetuar për dy vjet jashtë, dhe unë e di si është të jetosh…kur nuk je pjesë e shoqërisë në të vërtetë, dhe të jem I sinqertë, shqiptarët kanë pasur kohë të vështira këtu në Greqi. Kur erdhën, erdhën në kushte, shumë, shumë, shumë të vështira, si nga vendi I tyre, erdhën nga malet, nëpër dëborë, të ngrirë, disa humbën jetën, ne e dimë këtë. Pastaj erdhën këtu dhe gjetën një mjedis jo fort miqësor, por ata punojnë fort dhe fëmijët e tyre tani janë në një pozicion shumë të mirë në shoqërinë tonë, janë pjesë e shoqërisë sonë. Jam mjek siç thatë dhe mjekë shqiptarë jetojnë këtu, punojnë, shumë infermiere në pozicione të larta, dhe janë shumë, shumë, shumë të mira, martesa të përziera dhe tani që po flasim, mendoj se nuk janë më refugjatë, emigrant, gjysëm grekë, gjysëm shqiptarë dhe mendoj se brezi I tanishëm ka në mendje gjithë sa kanë vuajtur, por brezi tjetër do të harrojë gjithçka dhe do të jetë pjesë e shoqërisë sonë dhe ndërkohë që Shqipëria është shumë afër, jemi fqinjë, ata do të shkojnë e do të vijnë dhe kufijtë do të jenë thjeshtë kufij.
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Shumë grekë vizitojnë si turistë për të parë çfarë ndodhi me këtë vend sepse të jem I sinqertë, 15 vjet më parë, edhe ndjesitë tona për shqiptarët ishin të ndryshme, dhe askush nuk e vizitonte Shqipërinë, ishte gjithashtu e vështirë sepse ne mendonim se ishte e rrezikshme. Ju thashë isha atje një vit më parë dhe është një vend I këndshëm, dhe gjithashtu I shtrenjtë, në njëfarë mënyre mendoja se ishte më pak I shtrenjtë, por ishte I shtrenjtë, ndoshta shkuam në një restorant shumë të shtrenjtë, nuk e di. Ok, ishte shumë këndshëm, njerëzit shumë miqësorë, dhe ka ndryshuar çdo gjë sepse ne fitojmë si shoqëri, në shumë fshatra, shkollat janë hapur për shkak të familjeve shqiptare. Ndërtohen shtëpi, shqiptarët janë shumë punëtorë, ata rritën familjet e tyre dhe fëmijët e tyre janë si ata. Dhe ok, mafia shqiptare, mafia greke ekziston gjithashtu, në Shtetet e Bashkuara ishte më e rrezikshmja në 1920 a diçka e tillë. Mafia gjeorgjiane, mafia greke në Gjermani, mafia shqiptare, ne e pranojmë, ka njerëz të këqinj. Por shumica e shqiptarëve, tani gjithçka ka ndryshuar vërtetë. Nuk dua të dukem mirë në television dhe për miqtë tanë shqiptarë sepse ata do të më shohin, me shpresë do të më shohin dhe iu çoj përshëndetjet e mija, por ka ndryshuar. Ne udhëtojmë shumë në Shqipëri tani, së pari jemi të bindur se nuk është e rrezikshme sepse 15 vjet më parë nuk ishte kështu, ok, mes fqinjëve ka gjithmonë në njëfarë mënyrë ndonjë konflikt, disa probleme, por janë zgjidhur mendoj. Kryeministrat tanë u takuan, patën një diskutim shumë miqësor, dhe kjo pasqyrohet në shoqëritë tona, tek njerëzit.
ABC NEWS: Dhe siç e diskutuam më parë, më pëlqen t’I mbyll këto intervista të shkurtra duke thënë se më pëlqen të mësoj të paktën disa fjalë në gjuhën tuaj, në gjuhën e vendit tuaj.
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Me thuaj…
ABC NEWS: Përshembull, faleminderit shumë, urdhëro, mirëmbrëma, natën e mirë, të paktën fjalët bazike. A dini ndonjë fjalë në shqip?
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS:Mësova një të vështirë, por me zemër, dhe sot është edhe dita e Shën Valentinit, shumë urime. Faleminderit.
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Faleminderit, ishte shumë e këndshme.
ABC NEWS: Edhe për mua.
EFTHIMIOS CHATZITHEOKLITOS: Përshëndetjet e mija më të mira për popullin tuaj.
ABC NEWS: Edhe për tuajin./abcnews.al