“Nënë Tereza vuante nga nata e errët e shpirtit”, studiuesi Alpion: Kjo sëmundje përcaktoi aktivitetin misionar të saj

schedule09:55 - 13 Shtator, 2024

schedule 09:55 - 13 Shtator, 2024

Studiuesi shqiptar, Gëzim Alpion tha se titulli si anëtar i Akademisë së Shkencave është një vlerësim që nuk matet me asnjë tjetër, pavarësisht suksesit që mund të ketë arritur jashtë.

“Vlerësimi në vendlindje është i veçantë pasi të bën të rilidhesh me njerëzit, me të dashurit, me shokët dhe shoqet që nga fëmijëria. Është një vlerësim që nuk matet me asnjë tjetër sado i suksesshëm të jesh jashtë shtetit.”, u shpreh Alpion në një intervistë për “Pas mesnate”.

Duke u ndalur te Nënë Tereza, ai tha se ajo është një vlerë për kombin shqiptar që “nuk e kemi aplikuar”.

“Nënë Tereza është simbolikë dhe vlerë që akoma s’e kemi aplikuar. Kjo duhet bërë jo thjesht në aspektin e patriotizmit, se është një figurë ikonë shqiptare, por në aspektin e Nënë Terezës tokësore sesa të asaj hyjnore. Nënë Tereza nuk mund të kuptohet si hyjneshë nëse nuk kuptojmë se ky ishte një njeri i veçantë, tepër kompleks, por duke studiuar jetën dhe rrethanat ku jetoi në Shkup, një personalitet si ajo nuk mund të kuptohet kurrë në aspektin e rrethanave familjare. Këto njerëz të veçantë nuk janë rastësira dhe duhen studiuar pasi në mënyrë simbolike sintetizojnë diçka që është enigmatike.”, u shpreh ai.

Më tej ai rrëfen se si maqedonasit, kroatët, por edhe serbët donin të përvetësonin figurën e saj.

Shqiptarët ishin të indinjuar sepse kishte pretendime si të vllehëve, të maqedonasve, kroatëve, disi dhe italianëve, ka pasur edhe aludime nga serbët, që donin ta përvetësonin Nënë Terezën në mënyrë ekskluzive. Argumenti që bëra unë ishte le të studiojmë se çfarë ka thënë Nënë Tereza. Më është dashur 4 vite për të bërë librin e parë. Në fillim më interesonte rolin që luante ajo si një vajzë nga Shkup Në fillim shek 19 arriti që të bëhej një ikonë e mediave botërore. Dhe aty Nënë Tereza me atë zgjuarsinë e saj natyrale, me atë aftësinë për të perceptuar rolin e madh të mediave masive, filloi të perceptonte sa e rëndësishme ishte mass communication për të përçuar më mirë misionin e saj në Kalkuta. Në këtë drejtim, ka argumentuar se Nënë Tereza në vitin 1948-49 kur filloi misionin e saj, atë që Vatikani e predikoi me të madhe në vitet ’60 që mediat të angazhohen që të shpërndajmë fjalën e zotit, Nënë Tereza e kishte bërë 15 vite më para.“, shtoi studiuesi.

Sipas tij, Nënë Tereza vuante nga ana e errët e shpirtit, që përcaktoi edhe aktivitetin e saj human.

“Vuante nga nata e errët e shpirtit, një koncept i sofistikuar në katolicizëm por dhe në aspekte të tjera të kristianizmit por edhe në fe të tjera, që shpirti i besimtarit kalon në sprovë të madhe, arrin fundit deri në atë moment që nuk beson fare te zoti para se shpirti të ketë një bashkim me zotin.”, shtoi studiuesi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!