Nënë Kristina, një jetë duke bërë tezgjah

schedule15:50 - 14 Prill, 2019

schedule 15:50 - 14 Prill, 2019

Kristina Silo është një nga gratë myzeqare që nuk ka hequr kurrë dore nga tezgjahu. Ajo e ka parë këtë zanat jo vetëm fitimprurës, por edhe si mundësi për të bërë një jetë me pasion.

Kështu nis dita e saj më e zakonshme. Pranë tezgjahut, të cilit i ka kushtuar gjithë dashurinë dhe pasionin e saj. Tezgjahu është stili i saj i jetesës. Nënë Kristina nga Pojani i Fierit, të pret me gjithë karizmën mikëpritëse të një nëne të vërtetë myzeqareje. Në çdo cep të shtëpisë shikon duart e saj: rrugica, mbulesa krevati dhe divani të punuara me tezgjah, plot ngjyra dhe sharm.

E nis punën herët dhe largohet në mbrëmje vonë. Nuk e fsheh pasionin për tezgjahun, një dashuri e nisur 24 vite më parë, kur ishte infermiere e fshatit Pojan.

“Në orën 6-7 të mëngjesit e deri në 12 të natës, kur kam punë që i kam të porositura se i duan ato. Rri gjithë natën. Me dashuri, e kam pasion”, shprehet nënë Kristina.

Duart e saj, të cilat i lëviz me zhdërvjelltësi, thurin rrugica dhe qilima të mrekullueshme për këdo që i do ende këto punë artizanale, gati në zhdukje. Tezgjahun e ka ngritur vetë dy dekada më parë dhe prej asaj kohe nuk e ka lëvizur asnjëherë nga dhoma e saj e rregullt dhe me aromën tipike të nënave nikoqire myzeqare.

Ka menduar që këtë artizanat t’ia lërë pasuri të ardhurash familjes së saj. Ajo mban afër nusen e djalit, Brunën, së cilës i ka trashëguar gjithë të fshehtat e zanatit sa të bukur aq edhe të mirë për ekonominë e familjes.

Këto ditë ia ka kushtuar mbesës, së cilës po ia qëndis me duart e saj pajën. Kështu përcjell çdo nuse të fshatit: me rrugica e qilima te punuara nga duart e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!