Nëndetësja ruse përplaset me anijen luftarake të Britanisë në Atlantikun e Veriut

schedule02:55 - 7 Janar, 2022

schedule 02:55 - 7 Janar, 2022

Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar që një nëndetëse ruse është përplasur me një luftanije të Marinës Mbretërore që po patrullonte në Atlantikun Verior. Luftanija HMS Northumberland e gjurmoi nëndetësen kur ajo goditi sonarin e anijes dhe një pjesë e pajisjes mbeti qindra metra larg saj. Incidenti u kap në fund të vitit 2020 nga një ekip që po xhironte një dokumentar raporton “BBC”.

Një burim i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar tha se nuk kishte gjasa që përplasja të ishte e qëllimshme. HMS Northumberland po kërkonte nëndetësen në Rrethin Artik pasi ajo u zhduk nga radari i anijes sipas televizionit Channel 5 që po xhironte dokumentarin “Luftanija: Jeta në Det”. Ministria e Mbrojtjes tha se fregata kishte gjetur nëndetësen duke përdorur sonarin e tërhequr që është një tub i gjatë i pajisur me hidrofonë të ndjeshëm për të dëgjuar nën ujë.

Një periskopë u pa në sipërfaqe nga helikopteri Merlin i anijes para se nëndetësja ruse të zhytej përsëri dhe të përplasej me sonarin e anijes. Kamerat e filmimit kapën ekipin duke thënë: “Çfarë dreqin ishte ajo?”. Nuk është e qartë nëqoftëse nëndetësja ruse pësoi ndonjë dëmtim por luftanija britanike u kthye në portin e Skocisë për të zëvendësuar pjesët e dëmtuara.

Aktiviteti i nëndetëseve ruse është rritur kohët e fundit dhe fregata e Marinës Mbretërore patrullon rregullisht Atlantikun Verior. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar zakonisht nuk i komenton operacionet por në këtë rast e komentoi për shkak se incidenti u kap në kamera. Një zëdhënës tha se në fund të vitit 2020 një nëndetëse ruse që po gjurmohej nga luftanija HMS Northumberland ra në kontakt me hidrolokatorin e saj të tërhequr. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!