Nënat me “qera”, mjeku: Ja rastet kur ka nevojë. Ka ndodhur dhe në të shkuarën

schedule15:07 - 23 Prill, 2024

schedule 15:07 - 23 Prill, 2024

Shqipëria pritet t’i hapë rrugë ligjërisht lejimit të nënave surrogate. Projektiligji është hedhur në konsultim, ndërsa për një kategori të caktuar të grave, marrja me qera e mitrës, është zgjidhja e vetme për të pasur një fëmijë.  Për mjekun obseter gjinekolog Avenir Bilali, nëna surrogate është e nevojshme për shumë pak patologji mjekësore.

“Indikacionet mjekësore janë të pakëta, është më tepër një problem social. Në problemet mjekësore është mungesa e mitrës, pra nëna që kanë vezore e skanë mitër, ose e kanë mitrën të dëmtuar, ose kanë procese malinje në mitër. Në këto raste mund të merret mitra e tjetrës me qera, por vezët dhe spermatozoidet duhet të jenë brenda çiftit.”

Pavarësisht se miratimi i këtij ligji është propozuar vetëm për qellime mjekësore, nuk përjashtohet që në të ardhmen gratë apo vajzat mund ta kërkojnë edhe për qellime të tjera.

“Kjo është një zgjidhje për problemet mjekësore, por ekziston frika që mund të përdoret për arsye të tjera. Për arsye estetike, për të ruajtur trupin, apo për të vazhduar shkollën, apo karrierën. Kjo më duket e tepruar pasi fëmija do jetë si i huaj pastaj për nënën.”

Vetë mjeku pohon se edhe pse në raste të rralla, procedura e surrogacisë është kryer edhe në Shqipëri.

“Tani legjistlacioni shqiptar edhe i ka mohuar edhe i ka pranuar, pra ka qenë indiferent. Por kjo procedurë mjekësore duhet rregulluar me ligj. Këtu është përdorur në raste shumë shumë të rralla, eksepcionale.”

Në eksperiencën e tij profesionale mjeku Balili është përballur me 3 kërkesa nga gra, për ti kryer këtë procedurë.

“Njëra kishte hequr mitrën si pasojë e një aborti, tjetra për fibromioma të uterusit, ndërsa një tjetër nuk e mbaj mend, por kanë qenë raste të rralla.”

Një prej kushteve që nënat surrogate duhet të plotësojnë është edhe sjellja në jetë e një fëmije më parë. Kjo bëhet për dy arsye. Ekziston mundësia që një nënë e cila nuk ka një fëmijë të sajin, mund të lidhet emocionalisht me fëmijën që do sjellë në jetë nga surrogacia, duke e komplikuar situatën.

Dhe arsyeja e dytë është që për mjekët është më e thjeshtë pasi përjashtojnë faktin që nëna mund të ketë probleme me fertilitetin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!