Sfidat e prindërimit për Irena Llapushin nga Elbasani, kanë nisur që në javën e 28 të shtatzënisë. Për shkak të tensionit të lartë, Irena lindi parakohe, ku solli në jetë fëmijën e dytë, Alteon.
“Kam qenë me tension të lartë me albumi, dhe linda parakohe. Lindje premature.”
Alteo sot është 6 vjeç, ndërsa sfidat me shëndetin janë të shumta, nga vonesat në zhvillim, tek problemet me dëgjimin. Probleme që ia kthyen spitalin në shtëpi të parë vogëlushit.
“Ka lindur prematurë, kemi qëndruar 2 muaj në spital. Pastaj kemi vajtur një javë në shtëpi, një muaj në spital, derisa është bërë 3 vjeç. Pastaj e kuptuam që ka humbur dëgjimin, e kemi çuar prapë në spital dhe është bërë operim për 5 orë. Tani është më ndryshe me dëgjimin, por, nuk i kupton të gjitha çfarë ne i flasim. Nuk kupton. Sot kam ardhur t’i bëj një vizitë për zhvillimin. Nuk dëgjon pa aparat fare.”
Për një prind, të shikoj fëmijën e pritur me padurim të shtruar në shërbimin e reanimacionit të neonatologjise është shumë e vështirë. Një ndjesi që e përshkruan me lot në sy nëna 44 vjeçare.
“Ishte shumë e vështirës se kisha edhe vajzën e vogël. E vështirë kur e shihja me tuba në të gjithë trupin. Ka pas probleme edhe me zemrën se ka lind me vrimë në zemër. Ka qenë shumë e vështirë për mua. Vetëm lot nëpër spitale. Infermierët më thoshin merr forcë, se fëmija jot do bëhet mirë. Dhe doktorët më thoshin do bëhet mirë.”
Irenën gjendja e djalit e shoqëron çdo moment të jetës.
“Nuk është se rri me fëmijët, por me mësuesit. Kur kishte festën e 1 qershorit e përjetova që rrinte i ndarë. Fëmijët e tjerë i shikonte. Djali flet vetëm pak, nuk flet.”
E buzëqeshur dhe optimiste, Irena përcjell këtë mesazh për të gjitha nënat që mund të jenë duke kaluar një periudhë të vështirë me fëmijët e tyre.
“Të gjithë nënat duhet të bëhen të forta, për fëmijët e tyre. Janë heroina.”/abcnews.al

