Nëna me babain shpërthejnë në lot, Elvis Naçi u jep lajmin e madh: Kristi do të niset për shërim në Itali

schedule21:33 - 9 Prill, 2022

schedule 21:33 - 9 Prill, 2022

Javën e kaluar përcollën në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” historinë e dhimbshme të dy prindërve, që derdhnin lot e përmes lutjeve kërkonin ndihmë për shërimin e Kristit, djalit të tyre 12 vjeçar. Kristi, i prekur nga një sëmundje e rëndë kishte bërë 9 operacione në tre vitet e fundit, e sërish gjendja e tij shëndetësore vijonte të mbetej e rëndë.

Shqiptarët u bënë bashkë edhe kësaj here. Elvisi me Sidritin udhëtuan së bashku drejt shtëpisë së familjes Saka, atje ku i pa nëna e Kristit, Florda.

Me të parë Elvisin e Sidritin, kjo nënë preket e nis të thërrasë të birin me zërin që i dridhet.

“Kristi… dil mami, dil mami (qan) se ka ardhur Elvis Naçi, evallah prej Allahut…”

Nëna përqafon të birin e sëmurë dhe mirëpret Elvisin e Sidritin… ndërkohë në sfond dëgjohen ulërimat e babait, Hasanit. Me ndihmën e të atit, ai del në derë të shtëpisë dhe është i mbushur në lot.

“Mos qaj Hasan, të lutem qetësohu, ne kemi ardhur për mirë… si je, a je mirë? Të lutem Hasan mos qaj”-i drejtohet Elvisi babait të 12 vjeçarit.

“Krist thuaj babit të lutem mos qaj, se ne për mirë kemi ardhur”-i thotë Sidriti Kristit.

Të gjithë hyjnë në banesë dhe Elvisi i jep lajmin e madh prindërve që nuk i mbajnë dot lotët. Paratë për të dërguar drejt shërimit Kristin, janë mbledhur nga shqiptarët bamirës.

“Ne nuk kemi ardhur kot. Sot kemi ardhur sepse ka dash i madhi Zot e lekët për Kristin janë mbledhur. Kemi vendosur jo vetëm të kujdesemi, por ta çojmë në një prej spitaleve më të mira në botë, në spitalin Bambino Gesu. E them pa mëdyshje, 95% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të çojnë dikë atje…ne fatmirësisht kur kemi dërguar atje fëmijë, kemi parë mrekulli. Pas të madhit Zot, mjekët janë sebepi kur një njeri është i sëmurë. Kemi dërguar edhe fëmijë në intubim e pas pak kohësh, i kemi parë si kokrra e mollës.

Kristi, ke shumë përshëndetje nga fëmijët e mi. Një vajzë më shkruajti, që të të përshëndesja me patjetër e shumë e shumë të tjerë. Ne erdhëm jo për fjalë, por që ti të nisesh, të bëhesh i fortë.”-tha Elvisi.

“Faleminderit shumë…”-thotë Hasani.

“Familja juaj është sprovuar shumë, por shpresojmë që djali të bëhet më mirë.”-tha Elvisi.

“Vëlla Elvisi, Sidrit, faleminderit prej jush. Falenderime të madhit Zot, të gjithëve atyre që kanë kontribuar e kush pastë fëmijë ua shpërbleftë tek fëmijët e tyre.”-tha mes lotëve nëna e Kristit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!