TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të martën, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes ne pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai është marrë i pandehur nga drejtësia dhe po hetohet për rolin që ka pasur në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Krahas Sali Berishës, nën hetim për këtë dosje është vënë dhëndri Jamarbër Malltezi [i arrestuar] dhe ortaku i tij biznesmeni Fatmir Bektashi. Ndaj Berishës është vendosur masa detyrim paraqitje dhe është ndaluar që të dalë jashtë vendit. Kreu i Foltores, në një konferencë për mediat të shtunën vonë, i cilësoi akuzat ndaj tij si politike.
SPAK njoftoi një ditë më parë zyrtarisht dhe akuzat që rëndojnë ndaj Berishës. Në njoftimin e prokurorisë thuhej se Berisha ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro.