Ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda është vënë në pranga nga policia për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, abuzim me fondet e institucionit dhe veprime në kundërshti me vendimin e gjykatës.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Deda dyshohet se ka rritur në mënyrë të pajustifikuar buxhetin e Urdhrit të Stomatologut nga viti në vit. Në vitin 2020 buxheti ishte planifikuar 38.5 milionë lekë, ndërsa në vitin 2021 ai u shtua me 13.5 milionë lekë.
Në vitin 2022, buxheti arriti në 125.8 milionë lekë, kjo edhe për shkak të blerjes së një godine të re për institucionin dhe investimeve të kryera në të.
Prokuroria dyshon se këto shtesa janë kryer për përfitime personale dhe jo në funksion të interesit publik. Në të njëjtën kohë ka dyshime se, Deda në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, mes të cilëve familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
/abcnews.al/