Nejmar e Mbape dëmtohen para Championsit

schedule14:12 - 21 Nëntor, 2018

schedule 14:12 - 21 Nëntor, 2018

Paris Sen Zhermeni mori dy goditje të rënda në miqësoret e ekipeve kombëtare. Nejmar dhe Mbape u dëmtuan dhe janë në dyshim për ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Liverpulit, në Champions.

Dy miqësore të lehta dhe dy dëmtime të rënda. Kështu mund të quhen përgatitoret e Brazilit dhe të Francës, që sollën lëndimin e yjeve kryesorë të skuadrave, Nejmar e Mbape. Të dy futbollistë të Paris SG, ata dolën nga fusha pa mundur t’i përfundonin takimet, dhe janë në dyshim për sfidën vendimtare ndaj Liverpulit në Champions. Braziliani luajti vetëm 8 minuta ndaj Kamerunit, në stadiumin e “Milton Kejnsit”, duke zhgënjyer mijëra tifozë anglezë që kishin blerë biletë kryesisht për të parë atë.

Ironikisht, ndërhyrja e gabuar ishte nga shoku i tij tek PSG-ja, Çupo-Moting. Mjekët e kombëtares së Brazilit refuzuan të komentonin shkallën e dëmtimit, duke deklaruar se i takon Paris SG që ta bëjë, por ata dhe Nejmari u shprehën pas ndeshjes, se nuk ishte diçka serioze. Pikërisht zëvendësuesi i tij, Riçarlison, ishte autor i golit të vetëm të përballjes në minutën e fundit të pjesës së parë. Nuk shkoi shumë më mirë edhe për Kilian Mbapenë.

Ylli tjetër I Paris SG, u dëmtua në minutën e 36-të të sfidës së luajtur në Paris ndaj Uruguajit, pasi u përplas me portierin kundërshtar. Kampioni i botës pati dhimbje në shpatull, dhe trajneri Didie Deshamp vendosi të mos rrezikonte, aq më shumë që po luhej një miqësore. Paris SG luan të shtunën në kampionat ndaj Tuluzës, ndërsa të mërkurën pret Liverpulin ne Ligën e Kampionëve, me dy yjet që mbeten në dyshim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!