“Negotiating peace”, Neziraj ndan detajet e shfaqjes, që nisi nga bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

schedule11:27 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 11:27 - 7 Dhjetor, 2023

Pas turneut në Kosovë dhe në Gjermani, shfaqja “Negotiating peace” do vihet dhe në skenën e ArtTurbina.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, regjisori Jeton Neziraj ka thënë se kjo shfaqje është pritur shumë mirë kudo dhe si pasojë kanë në plan që të vihet në skenë dhe për dy vitet e ardhshme.

“Pas premierës në Prishtinë që ishte më 16 tetor, ne bëm një mini-turne të vogël në qytete të tjera të Kosovës, në Shkup, pastaj vazhduam me Gjermaninë dhe Çekinë. Tani po e nisim turin e dytë nga Tirana, për të vazhduar më datë 11 në Prishtinë, në datë 13 do të jemi në Serbi. Ndërkohë, me këtë ne përfundojmë turin e këtij viti, po shfaqja ka repriza të planifikuara për dy vitet e radhës. Jemi në fillim realisht”.

Më tej, ai ka folur dhe për përmbajtjen e shfaqjes, e cila ishte një temë tepër aktuale, që lidhej me vendosjen e paqes në luftë.

“Shfaqja na ballafaqon me përpjekjet që shoqëritë në konflikt me njëra-tjetrën bëjnë për ta rikthyer normalitetin dhe për të vendosur paqen, aq sa është e mundur. Sepse siç thuhet, lufta nuk përfundon kur ulen armët dhe këtë gjë po e miratojmë dhe ne në rajon në lëkurën tonë tash e sa vite. Në Kosovë, por dhe përtej Kosovës, jetojmë një far gjendje që është e ndërmjetme, nuk është luftë, por as nuk është paqe e plotë. Është një lloj pasigurie e frikës, për një luftë eventuale të mundshme dhe në një far mënyre, faturat e luftërave në ’90 nuk janë pastruar krejtësisht”./abcnews.al