Nga Charles A.Kupchan, “La Repubblica”
Po mbyllet muaji i katërt torturues i luftës, dhe ukrainasit vazhdojnë me guxim që t’i shkaktojnë humbje forcës pushtuese ruse. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, po e mbështesin vendosmërinë e palëkundur të vendit të pushtuar, për të mbrojtur territorin e vet me një fluks të vazhdueshëm të dërgesave të armëve.
Siç u shpreh presidenti amerikan Joe Biden në një shkrim të kohëve të fundit në “New York Times”, synimi “është të punohet për ta forcuar Ukrainën, dhe për të mbështetur përpjekjet e saj për të arritur një fund të negociuar të konfliktit”. Një përfundim i negociuar i konfliktit, është qëllimi i duhur për t’u ndjekur, dhe duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndoshta Ukraina nuk ka forcën e duhur ushtarake për ta dëbuar Rusinë nga tërësia e territorit të saj, dhe inercia e luftës në terren, duket se po funksionon tani në favor të Moskës.
Sa më gjatë të vazhdojë ky konflikt, aq më shumë vdekje dhe shkatërrime do të ketë, aq më e madhe do të jetë kriza e ekonomisë botërore dhe e furnizimit me ushqime, dhe aq më të mëdha do të jenë edhe rreziqet e një përshkallëzimi, drejt një lufte në një shkallë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s.
Uniteti transatlantik ka filluar të plasaritet. Franca, Gjermania, Italinë dhe aleatët e tjerë, janë të shqetësuar nga perspektiva e një konflikti të zgjatur, sidomos në kontekstin e rritjes së inflacionit në vendet e tyre. Megjithatë, nëse Biden dëshiron vërtet të lehtësojë negociatat midis palëve, ai duhet të bëjë më shumë për të hedhur bazat politike, dhe për të krijuar një narrativë që e vendos në plan të parë zgjidhjen diplomatike.
Në Uashington po dëgjohet ende shumë retorikë ekstremiste. Furnizimet me armë ndaj Ukrainës, synojnë t’i mundësojnë Kievit, sipas Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken, “të sprapsë agresionin rus, dhe të mbrojë plotësisht pavarësinë dhe sovranitetin e saj”.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këmbëngul, siç edhe pritej, se “fitorja do të jetë e jona”, dhe u kërkon ukrainasve “të mbrojnë çdo metër të atdheut tonë”. Dhe ndonëse flet për nevojën e diplomacisë, deri më tani Biden nuk ka arritur ta shkëpusë Kievin nga ndjekja e këtyre objektivave, duke thënë se s’ka ndërmend të “ushtrojë presion mbi qeverinë ukrainase, qoftë publikisht apo privatisht, për ta nxitur atë të bëjë lëshime territoriale të çdo lloji ndaj Rusisë”.
“Ne nuk do t’u tregojmë ukrainasve se si duhet të negociojnë, çfarë duhet të negociojnë, dhe kur duhet të negociojnë”- përsëriti në fillim të kësaj jave Colin Kahl, nënsekretari i mbrojtjes. “Janë ata që do të vendosin për këto gjëra në mënyrë të pavarur”- shtoi ai.
Por Uashingtoni nuk ka vetëm të drejtë, por e ka për detyrë të diskutojë me Kievin mbi objektivat e kësaj lufte. Nuk është e tepruar të thuhet se ky konflikt përfaqëson momentin më të rrezikshëm gjeopolitik që nga Kriza e Raketave Kubane. Një luftë e përgjakshme po zhvillohet midis një Rusie të armatosur me armë bërthamore, dhe një Ukrainë të armatosur nga NATO, me territoret e aleancës që ndodhen shumë pranë zonës së konfliktit.
Kjo është një luftë që mund të përcaktojë konturet strategjike dhe ekonomike të shekullit XXI-të, me gjasat e mëdha të një epoke rivaliteti të militarizuar midis demokracive liberale të planetit dhe një blloku autokratik, që sillet rreth Rusisë dhe Kinës. Përballë një rreziku të tillë, është e domosdoshme që SHBA-ja të përfshihen direkt në vendimin se si dhe kur do të përfundojë kjo luftë.
Në vend se ta furnizojë Kievin me armë pa asnjë kushtëzim (duke i lënë ukrainasit të vendosin për strategjinë), Uashingtoni duhet të nisë një diskutim të qartë se si t’i japë fund luftës, së bashku me aleatët e tij, së bashku me Kievin, dhe në të ardhmen edhe me Moskën.
Për ta përgatitur terrenin për këtë kthesë, administrata Biden duhet të ndalojë së bëri deklarata që rrezikojnë t’i “lidhin duart” në tryezën e negociatave. Presidenti i Shteteve të Bashkuara këmbëngul se Perëndimi duhet “t’ia bëjë të qartë Rusisë, se nuk është fuqia ajo që bën ligjin”, nëse nuk dëshiron të rrezikojë t’u dërgojë “agresorëve të tjerë të mundshëm mesazhin se edhe ata mund të marrin territore dhe nënshtrojnë vendet e tjera”.
Kjo sipas Biden do të rrezikonte mbijetesën e demokracive të tjera paqësore, dhe mund të sjellë fundin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Por a është vërtet kështu? Rusia e ka aneksuar ilegalisht Krimenë, dhe ka pushtuar një pjesë të Donbasit që nga viti 2014, por kjo s’do të thotë se ka dështuar rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.
Përkundrazi, ai akt ka dëshmuar se ky rend funksionon në mënyrë të shkëlqyer, kur është fjala për ndëshkimin e Rusisë për shkak të agresionit të saj të ri kundër Ukrainës. Uashingtoni duhet të shmangë rrëshqitjen në humnerë me duart e veta, duke parashikuar një katastrofë, nëse Rusia do të mbajë kontrollin e një pjese të Ukrainës kur të ndalen luftimet.
Pasi parashikime të tilla, e bëjnë më të vështirë kompromisin, e rrezikojnë atë, dhe e zmadhojnë ndikimin gjeopolitik të çdo përfitimi territorial që mund të sigurojë Rusia nga kjo luftë. Teza se Vladimir Putin do të pushojë së krijuari probleme, vetëm nëse pëson një disfatë vendimtare në Ukrainë, është një tjetër argument i pabazuar, që e shtrembëron debatin dhe e pengon punën e diplomacisë.
Në një artikull për “The Atlantic”, Anne Applebaum bën thirrje për “poshtërimin” e Putinit dhe këmbëngul se “humbja, margjinalizimi apo largimi i Putinit nga pushteti, është i vetmi rezultat që mund të ofrojë ndonjë shpresë për një stabilitet të qëndrueshëm për Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës”.
Ndërkohë Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dëshiron dobësimin e Rusisë “deri në pikën ku ajo të mos jetë më në gjendje të ndërmarrë një pushtim të ngjashëm si ai në Ukrainë”. Por këto janë më shumë dëshira dhe më pak analiza strategjike të arsyetuara.
Pavarësisht se si do të përfundojë kjo luftë, Putin është i destinuar të mbetet në pushtet për një të ardhme të parashikueshme, dhe do të vazhdojë të krijojë probleme:tregimi i “muskujve” në skenën botërore, dhe shfaqja e kredencialeve të tij nacionaliste, janë burimet kryesore të legjitimitetit të tij brenda Rusisë.
Për të mos përmendur rrezikun që buron nga poshtërimi i Putinit. Nëse ai do të bllokohej në një cep, mund të veprojë në mënyra shumë më të pamatura, se sa do të bënte nëse do të mund të pretendojë te fitoren, duke aneksuar një pjesë tjetër të Ukrainës. Perëndimi ka mësuar të bashkëjetojë dhe ta frenojë Putinin gjatë 2 dekadave të fundit, dhe ka të ngjarë t’i duhet të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
Së fundmi, Biden duhet të fillojë të punojë për ta korrigjuar shtrembërimin e debatit dominues, që e sheh diplomacinë si sinonim të sjelljes tolerante. Kur Henry Kissinger deklaroi kohët e fundit në Davos, se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime territoriale ndaj Rusisë, për t’i dhënë fund luftës, Zelensky u kundërpërgjigj:”Kalendari i Kissinger ndoshta nuk shënon vitin 2022, por vitin 1938. Dhe ai mendon se nuk po flet në Davos, por në Mynihun e 1938-ës.
Vetë Biden thotë se “do të ishte e gabuar, dhe në kundërshtim me parimet tona që t’i rekomandojmë Ukrainës lëshime të mundshme në tryezën e bisedimeve”. Por maturia strategjike nuk duhet të ngatërrohet me sjelljen pajtuese ndaj një diktatori.
Është në interesin e Ukrainës të shmangë një konflikt që po zvarritet prej vitesh, dhe të negociojë një armëpushim, të pasuar nga një proces që synon arritjen e një marrëveshjeje territoriale. Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj në NATO, Rusia dhe pjesa tjetër e botës, kanë gjithashtu interes për një rezultat të tillë. Pikërisht për këtë arsye, ka ardhur koha që Joe Biden të organizojë një tryezë bisedimesh. /abcnews.al

