Negociatat u hapën, po tani?!

schedule17:00 - 19 Korrik, 2022

schedule 17:00 - 19 Korrik, 2022

Bashkimi Europian hapi zyrtarisht negociatat me Shqipërinë në atë që shënoi një moment historik në mbyllje të konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel.
Edhe pse “momenti nisi”, siç tha edhe ministri i Jashtëm çek, rruga e anëtarësimit nuk është vetëm e drejtë dhe ka procese që duhen ndjekur për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Nga ana tjetër, hapja e negociatave për Shqipërinë (dhe Maqedoninë e Veriut) erdhi në një moment delikat për Europën, mes pushtimit rus të Ukrainës dhe kërcënimit që i kanoset Ballkanit Perëndimor nga Lindja.

Megjithatë, Nirvana Deliu, hulumtuese e politikave europiane në European Movement Albania, thotë për abcnews.al se edhe pse kjo situatë pati ndikim, Shqipëria ishte gati për çeljen e negociatave.

“Sipas vlerësimit të bërë nga raporti i fundit i Komisionit Europian për vitin 2021 rekomandohet që Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vendosura për të kaluar në këtë fazë të procesit – pra të hapjes së negociatave me BE-në. Normalisht situata gjeostrategjike dhe frika që Ballkani Perëndimor mund të ndikohet dhe të afektohet nga ndikime të tjera, ndikoi që BE të gjente mënyra diplomatike (si propozimi francez) për të bërë të mundur që negociatat të hapen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e të mos kishte më vonesa (që nga hapja në parim e negociatave në mars 2020), për ti dhënë shtysë procesit dhe për të mbajtur ndezur vullnetin politik të vendeve për të vazhduar me reformat në kuadër të integrimit europian”, thotë Deliu.

Deliu shpjegon se ajo që do të negociohet me BE-në, është sa kohë do t’i duhet Shqipërisë dhe si do e realizojë zbatimin e legjislacionit të BE dhe arritjen e standardeve europiane.

“Kuadri ligjor i BE ( i njohur si Acquis i BE) është i ndarë në 35 kapituj (ku secili kapitull përfshin një fushë politikash psh. Kapitulli 27 – Mjedisi apo Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe për çdo kapitull Shqipëria pikë së pari duhet të harmonizojë/përafrojë legjislacionin e saj me atë të BE dhe së dyti të jetë e aftë nga ana institucionale të zbatojë këtë legjislacion. Negociatat nënkuptojnë hapjen për negociim të 33 kapitujve (dhe pse janë 35 – 33 prej tyre do të negociohen) në bazë të metodologjisë së Re të Zgjerimit. Ato do të hapen në grup sipas Grupimeve (janë 6 grupime) dhe Grupimi i Parë quhet – Themeloret dhe përfshin 5 kapituj (23,24,5,18,32). Kapituj duhet të hapen dhe pasi të plotësohen kushtet ato mbyllen. Vetëm pasi të mbyllen të gjithë kapitujt negociatat quhen të përfunduara”, thotë Deliu.

Por sa afër është Shqipëria me legjislacionin e BE dhe sa kohë do të duhet për t’u përshtatur.
Deliu thotë për abcnews.al se për secilin nga kapitujt, sipas Raportit të Komisionit Europian, ka një vlerësim të nivelit të përgatitjes dhe nivelit të progresit. Pjesa më e madhe e kapitujve janë në nivel mesatar të përgatitjes.

“Një pjesë e legjislacionit është harmonizuar, por ka disa kapituj ku kemi nivel të lartë të përgatitjes apo janë në fazë të hershme, ndërkohë që niveli i progresit varion nga ato kapituj që nuk është bërë fare progres si Kapitulli 28 – Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik në ato kapituj që ka progres të mirë siç është dhe Kapitulli 24- Drejtësi, Siguri, Liri. Nëse do të analizonim 5 kapitujt e Grupimit 1 që do të hapen të parët kemi këtë nivel përgatitjeje: Kapitulli 24, Kapitulli 5 – prokurimet publike, Kapitulli 18 – Statistikat dhe Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar kanë përgatitje mesatare, ndërkohë që analiza për Kapitullin 23 bëhet për tre fusha: Gjyqësori – nivel mesatar përgatitjeje dhe Antikorrupsioni dhe Liritë themelore – njëfarë përgatitje”, thotë Nirvana Deliu.

Sa i përket një viti të përafërt se kur mund të hapen negociatat, Deliu bën me dije se kjo varet se sa shpejt dhe në mënyrë thelbësore do të realizohen reformat.

Si shembull suksesi në këtë proces merret Kroacia, që i janë dashur shtatë vjet për të mbyllur negociatat. Ndërkohë në rajon, Serbia dhe Mali i Zi janë ende në këtë fazë edhe pse i kanë hapur negociatat respektivisht në 2013 dhe 2012.

“Nuk mund të ketë një përcaktim paraprak, duke marrë gjithashtu parasysh që dhe procesi nuk është i njëjtë. Kroacia ka pasur një proces ndryshe të integrimit, ndërkohë që dhe Serbia dhe Mali i Zi e filluan procesin me hapjen e kapitujve në mënyrë individuale. Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shtetet e para në të cilat do të zbatohet që nga fillimi i procesit Metodologjia e re e Zgjerimit (që grupon kapitujt dhe nënkupton që do të hapen që në fillim 5 kapitujt e Grupimit të Parë – Themeloret). Gjithashtu pas negociatave mund të duhet dhe 1 deri në 2 vite kohë për të ratifikuar Traktatin e Anëtarësimit nga të gjitha Shtetet Anëtare”, thotë Deliu.

Gjatë këtij procesi, veç kushteve që Shqipëria duhet të përmbushë, do të shihet edhe një rritje e investimeve nga ana e bllokut.

“BE do të asistojë si në aspektin financiar dhe teknik vendet që hapin negociatat”, thotë Deliu, ndërkohë që Komisioni Europian do të monitorojë dhe raportojë të gjithë progresin e Shqipërisë.
Për qytetarët shqiptarë, anëtarësimi në BE do të sjellë shumë përfitime sipas Deliut. Megjithatë, këto përfitime shoqërohen gjithashtu me shumë detyra që nuk i takojnë vetëm institucioneve shtetërore, por edhe grupeve të tjera e sektorëve të shoqërisë si operatorët e biznesit, partnerët socialë, akademia apo dhe shoqëria civile.

“Së pari lidhet me fuqizimin e shtetit të së drejtës, mirëqeverisjes dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, kombinuar me përfshirjen në tregun e brendshëm të BE (që nënkupton katër liritë e tregut dhe arritjen e standardeve të prodhimit, kapitalit, ofrimit të shërbimeve, njohjes së kualifikimeve profesionale si dhe lëvizjes së lirë të punonjësve. Integrimi në BE nënkupton rritje të standardeve dhe shërbimeve në të gjitha fushat sociale dhe ekonomike, më shumë zhvillim dhe investim dhe reforma të qenësishme. Gjithashtu duhet kuptuar që këto reforma nuk janë pa kosto dhe shpeshherë mund të jenë dhe sfiduese apo të [dhimbshme] ku të gjithë aktorët e shoqërisë do të duhen të sakrifikojnë për të arritur aty ku duhet të jemi për të qenë pjesë e BE”, thotë Deliu.

Pra, “rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE sapo ka nisur”, siç tha edhe komisioneri i BE për Fqinjësinë Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Rrugë kjo që nënkupton reforma dhe progres për të përmbushuar kushtet për t’u bashkuar me familjen europiane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!