Ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian nuk kanë mundur të zhbllokojnë pengesën lidhur me aprovimin e kuadrit të negociatave të anëtarêsimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Bullgaria nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me kërkesën e përfshirjes në kuadrin negociues së Maqedonisë së Veriut të një udhërrëfyes mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën përmbyllëse të takimit, ministri gjerman për çështjet europiane, Michael Roth është shprehur se presidenca gjermane synon të organizojë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nëse përmbush kushtet gjatë presidencës gjermane. Ai i është përgjigjur pyetjes së ABC mbi kushtet që mbeten për t’u plotësuar nga Shqipëria:
“Me të drejtë ju referuat Shqipërisë dhe ju thatë që mbeten ende dy pika për t’u zgjidhur,që lidhen me konkluzionet e Këshillit të ministrave tê marsit. Së pari, bëhet fjalë për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe së dyti për zbatimin e kodit të ri zgjedhor. Është një proces i vështirë, pasi funksionimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet me procesin e Vettingut. Kërkohen më shumë gjyqtarë dhe prokurorë për të zëvendësuar ata që lenë postet e tyre dhe kjo do marrë ca kohë. Ndërkohë në një vend të polarizuar si Shqipëria ka konflikte politike. Dhe në çdo vend është e vështirë të gjendet një konsensus mbi kodin zgjedhor, por Shqipëria është në rrugën e duhur. Nëse ne mund të ariijmë nje konkluzion të suksesshëm në fund të vitit, nuk mund ta them”, ka thënë Roth.
Lidhur me ngërçin për Bullgarinë, Michael Roth është shprehur, se të gjitha delegacionet shprehën mbështetjen e tyre për aprovimin e kuadrit negociues me të dyja vendet përveçse Bullgarisë për shkak të marrëveshjes së fqinjësisë me Maqedoninë e Veriut. Sipas Michael Roth, ka ende shpresë për një përfundim pozitiv brenda presidencës gjermane. g.v/abcnews.al