Këshilli Europian nuk arriti të binte dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Samiti dyditor i liderëve të vendeve anëtare u mbyll pa një vendim. Presidenti i Francës, Emanuel Makron përsëriti arsyet e refuzimit të vendit të tij, ndërsa kancelarja Merkel e cilësoi dëshpërues faktin që nuk u arrit një marrëveshje.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në përfundim të samitit dyditor të mbajtur në Bruksel, vendet lider të Unionit, Franca dhe Gjermania rikonfirmuan qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta sa i takon procesit të zgjerimit. Në konferencën për shtyp, presidenti Emanuel Makron përsëriti motivet e refuzimit të vendit të tij për dy vendet ballkanase. Kreu i pallatit Elize ritheksoi se problem i madh për Shqipërinë mbetet emigracioni i lartë, fenomen të cilin ai nuk ka se si t’ua shpjegojë qytetarëve të tij.
“Një numër i madh vendesh në BE nuk ishin të vendosura për të hapur negociatat. Ka disa përpjekje dhe arritje, por nuk janë atje ku duhej të ishin. Për shembull, migrimi dhe sundimi i ligjit, apo edhe raportet fqinjësore. Nuk është e nevojshme për momentin që të ketë një zgjerim. Shikoni rrugën e 28 vendeve. Ne kemi kaluar një krizë të madhe dhe do të kemi përfunduar reformat në vitet që vijnë, ndaj nuk mund thjesht të hapim derën”, tha Macron.
Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi si “dëshpërues” faktin që vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk arritën dot një marrëveshje.
“Këtu bëhet fjalë për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe jo për anëtarësimin, ata patjetër që duhet të përballen me disa kushte që ne kemi vendosur. Në Shqipëri vijon të ketë probleme, përfshirë edhe emigracionin, megjithëse Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket kësaj dukurie. Kur bëjmë premtime duhet t’i mbajmë ato dhe jo t’i kthejmë shpinën vendeve. Janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE. Unë vërtet dua një bashkim të këtyre vendeve, por më parë duhet të kalojnë në faza të ndryshme të këtij procesi”, tha Merkel.
Me tone dëshpëruese reaguan edhe zyrtarë të shumtë të BE-së. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker e cilësoi dështimin një “gabim historik” dhe u shpreh shumë i zhgënjyer. Të njëjtat fjalë përdori edhe kryeministri i Italisë Xhuzepe Konte, ndërsa komisioneri në ikje për Zgjerimin, Johanes Hahn deklaroi se refuzimi për të hapur negociatat mund të rikthejë rrezikun për destabilitet në rajonin e Ballkanit./abcnews.al