Shtetet e Bashkuara do të nisin reduktimin e trupave ushtarake në Afganistan, në kuadër të negociatave me talebanët. Por, shumë zyrtarë e shohin lëvizjen me skepticizëm pasi vënë në dyshim angazhimin e guerrilasve për të përmbushur zotimet e marra përsipër.
Administrata amerikane po përgatitet të tërheqë mijëra trupa nga Afganistani, në këmbim të konçesioneve të bëra nga talebanët, që kanë premtuar uljen e armëve dhe braktisjen e Al Kaedës, në kuadër të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit 18-vjeçar. Lajmin e bën të ditur “Uashington Post”, që citon burime zyrtare. Marrërveshja, që u kërkon talebanëve të nisin bisedime direkte për paqen me qeverinë afgane, mund të çojë numrin e trupave amerikane nga 14 mijë në 8 mijë njësi – kanë deklaruar burimet.
Shifra në fjalë është e njëjtë me atë që presidenti Donald Trump premtoi kur mori detyrën. Plani ka marrë formë pas muajsh të tërë negociatash mes talebanëve dhe diplomatit afgano-amerikan Zalmaj Khalilzad, i zgjedhur nga Trump vitin e kaluar për të rinisur bisedimet me rebelët. Burimet e cituara nga “Uashington Post” kanë nënvizuar se, një marrëveshje mes palëve mund të finalizohet përpara zgjedhjeve presidenciale afgane që mbahen në shtator.
Megjithatë, ato kanë paralajmëruar se liderët e talebanëve mund ta vonojnë atë dhe se sfida të rëndësishme mbeten ende të hapura. Propozimi ka gjasa të shihet me skepticizëm nga disa zyrtarë amerikanë dhe afganë, të cilët e vënë në dyshim zotimin e talebanëve dhe kanë shtruar pyetjen se si Shtetet e Bashkuara do të mund të verifikojnë se ata po i përmbahen akordit. Por nëse aprovohet, pakti do të jetë një nga hapat më të rëndësishëm drejt fundit të luftës, një qëllim ky që gëzon mbështetje dypartiake në Shtetet e Bashkuara. /ABC News Albania 24/7