Tamponi e nxjerr negativ! Trump rinis takimet elektorale

schedule15:52 - 13 Tetor, 2020

schedule 15:52 - 13 Tetor, 2020

“Një grumbullim i madh në Florida. Një turmë e madhe, shumë entuziazëm. Sapo u riktheva”.

Është ky mesazhi në Twitter i presidentit amerikan Donald Trump pas rikthimit nga takimi elektoral në Sanford, Florida. Dhe kjo gjë do të përsëritet brenda pak orësh në Pensilvani me një tjetër turmë të madhe, raporton huffingtonpost

“Po fitojmë. Ekonomia po rritet. Një ritëm shumë i mirë!!!” vijon më tej ai.

Atyre që dyshojnë për gjendjen e tij reale shëndetësore, Trump i tregon të gjithë forcën. Në takimin e parë elektoral pas Covid-19, në Sanford, rreth 30 kilometra në veri të Orlandos, ai çon në delir mbështetësit e tij më entuziastë se kurrë.

“Ndihem i fortë”, këmbëngul ai duke ritheksuar se është imun, aq sa mund të zbresë mes turmës dhe “të puthë të rinjtë dhe gratë e bukura”. Pak para kësaj deklarate, mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, bëri të ditur se presidenti kishte rezultuar negativ në testin për koronavirus.

“Pas 22 ditësh do të fitojmë Floridën dhe presidencën,” premtoi Donald Trump.

“E dimë që kjo do të thotë të shkosh të kërkosh probleme” tha mjeku Anthony Fauci, eksperti më i lartë për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke folur për CNN. Virologu ka vënë në dyshim pjekurinë në rastin e organizimit të një aktiviteti të tillë, duke theksuar se rritja e numrit të rasteve të reja me Covid-19, përfshin dhe Floridën.

Janë më shumë se 10 milion amerikanë që kanë votuar për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, me anë të postës apo përmes zgjedhjeve të parakohshme, sipas të dhënave të publikuara të hënën. Një rekord, shkruan në faqen e internetit projekti elektoral amerikan i Universitetit të Floridës, raporton abcnews.al

Shifrat e kësaj gare elektorale që sheh demokratin Joe Biden të sfidojë presidentin Donald Trump janë shumë më të larta se ato të vitit 2016. Shumë amerikanë kanë zgjedhur të votojnë me korrespondencë për të shmangur kontaktet fizike në një kohë pandemie.

Sondazhet shohin sfiduesin demokrat Joe Biden në një avantazh të lehtë në Florida ku Trump në vitin 2016 fitoi vetëm për 1.2 pikë më shumë. Por turma e madhe e mbledhur  mbrëmjen e së hënës, ngre shumë pyetje dhe dyshime.

“Këto janë sondazhet e vërteta”, shprehet kreu i Shtëpisë së Bardhë teksa i kërkon kamerave të drejtojnë objektivin nga turma e madhe që bërtiste : “Të duam!” Me mungesën karakteristike të modestisë ai iu përgjigjet”

“Do të më doni dhe më shumë sepse unë i mbaj premtimet dhe vendos gjithnjë Amerikën në vend të parë!”

Joe Biden është në Toledo, Ohio, toka e salloneve të automjeteve. Akuzon presidentin e vendit se iu ka “kthyer shpinën” amerikanëve për sa i përket koronavirusit, pro pasohet nga një seri gafash që u ripostuan menjëherë nga Trump.

Fillimisht demokrati u shpreh se garon për senatin dhe jo për Shtëpinë e Bardhë duke i dhënë mundësinë Trump të shkruajë “Biden do të humbasë me shumë diferencë në Florida! Vetëm sondazhet e rreme thonë të kundërtën. Biden mendon se po garon për senatin. Harroi emrin e Mitt Romney dhe vendin ku ndodhej”.

Viktimat si pasojë e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë kanë kaluar shifrën 215 mijë, ndërsa të prekurit janë më shumë se 7.7 milion.

Virologu Anthony Fauci paralajmëroi se situata do të përkeqësohet. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi duke thënë se “mjekimi nuk mund të jetë më i keq se vetë problemi”.

Trump theksoi se mbyllja e vendeve ka shkatërruar ekonominë e shumë vendeve në botë dhe po gjunjëzojnë Europën që më parë konsiderohej si model për reagimin ndaj pandemisë së koronavirusit. s.ba/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!