TIRANË- Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi se institucioni që ai drejton është në një mobilizim total për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të sigurt të situatës në aksin e bllokuar Librazhd-Prrenjas.
Duke iu përgjigjur pretendimeve se problematika mund të ketë ardhur si pasojë e marrjes së inerteve, Kozeli e përgënjeshtroi këtë version.
Ai theksoi se ka pasur një kontroll nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ka verifikuar dokumentacionin dhe nuk ka konstatuar shkelje nga ana e kontraktorit të ngarkuar me punimet.
Më tej, kreu i ARRSH, u shpreh se zona në fjalë përballet prej vitesh me erozion të vazhdueshëm. Ai solli si shembull faktin se në vitin 2015 distanca mes trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metra, ndërsa në vitin 2023 kjo distancë ishte reduktuar në 17 metra, duke dëshmuar avancimin e fenomenit të erozionit.
“ARRSH ka një mobilizimi total për zgjidhje sa më të shpejtë dhe të sigurt të këtij aksi, Ky aksi i ri është një gjatësi minimum 1.3 kilometra, nuk mund të them një afat konkret kohor.
Lidhur me pjesën e marrjes së interneteve, unë vazhdoj ta përgënjeshtroj se fenomeni të këtë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve pasi ka pasur një kontroll nga IKMT, i cili ka verifikuar dokumentacionin dhe nuk ka shkelje nga ana e kontraktorit të ngarkuar me punime.
Në atë zonë, kemi një erozion të vazhdueshëm ndër vite, në 2015, distancat midis trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metër, në 2023 kishte shkuar në 17 metër”, tha ai./abcnews.al


