S’ka dyshime as për fondet nga BE. Ndryshe nga Serbia, Shqipëria do të përfitoje miliona euro nga Plani i Rritjes së BE.
Komisionerja për Zgjerimin Europian, Marta Kos deklaroi përpara takimit të përbashkët të ministrave të jashtëm të BE me ata të Ballkanit Perëndimor, se ditët në vijim disbursohen 200 milion euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet pretendentë kryesorë për t’u anëtarësuar brenda kësaj dekade.
“Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete sa i përket integrimit gradual, pasi, siç e dini, javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA”, u shpreh Kos.
Muajin tjetër Samitin BE-Ballkan Perendimor mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, vendi që sapo ka marrë traktatin e anëtarësimit për në BE. Për Marta Kos ky është një tjetër sinjal se BE i qëndron planit të zgjerimit dhe kërkon angazhim të vendeve si Shqipëria për t’u anëtarësuar.
“Ndërkohë po përgatisim Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor, dhe pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën evropiane”, tha ajo.
Pasi BE i pezulloi fondet nga plani i rritjes Serbisë, u përhapën aludime se në këto masa mund të përfshihej edhe Shqipëria, por spekulimet negative kanë të njëjtin burim në Tiranë, ndërsa edhe kjo hipotezë është rrëzuar tashmë, ashtu si bllokimi i integrimit europian./abcnews.al


