Mbrëmjen e së enjtes, në kohën e hapjes së iftarit, në xhamitë e Izmirit në Turqi, në vend të ezanit u dëgjua “Bella ciao”. Një ngjarje që ka shkaktuar reagimin e fortë të presidentit turk Erdogan i cili e ka quajtur një qytet të pafe.
Izmiri laik ose sipas fjalëve të presidentit turk Erdogan është një qytet i pafe, i vetmi qytet i madh turk ku konservatorët islamikë nuk kanë fituar asnjë zgjedhje. Mbrëmjen e së enjtes, kur jemi në muajin e Ramazanit, disa xhami në qendër të qytetit kanë vendosur këngën “Bella Ciao”.
Gabim? Provokim? Bojkot? Fjalët “Partizan më merr me vete” dhe pse të përshtatura në gjuhën turke, tingëlluan si një kritikë e madhe ndaj pushtetit, një shuplakë e vërettë.
Njerëzit më pas kuptuan se Bella ciao në turqisht ishte ajo e kënduar nga grupi Jorum, grupit folk i tronditur muajin e fundit nga vdekja si pasojë e grevës së urisë së tre anëtarëve të saj: këngëtarja Helin Bolek, basisti Ibrahim Gokcek dhe kitaristi Mustafa Kocak.
Të tre u lanë të vdisnin pas 300 ditësh grevë, pasi nuk kishin marrë nga autoritetet lejen për të organizuar sërish koncerte pas akuzave se kishin lidhje me terrorizmin.
Grup Jorum është krijuar në lagjet popullore të Stambollit që kritikojnë më së shumti partinë në pushtet duke shfaqur bindje marksiste. Pas ceremonive të varrimit të tre muzikantëve, ku ndalohej pjesëmarrja e madhe për shkak të pandemisë, dhe avokatët e tyre u arrestuan.
Grup Jorum sa herë që përfundonin një koncert, përqafoheshin me publikun duke kënduar Bella Ciao në turqisht. Një këngë shumë e dashur dhe për guerilasit kurdë në Kobane të Sirisë dhe për partinë e punëtorëve të Kurdistanit. Kjo e fundit konsiderohet si një lëvizje terroriste dhe prej 40 vjetësh është në luftë me ushtrinë e Ankarasë.
Kështu mbrëmjen e së premtes, për të lajmëruar hapjen e iftarit, nuk ishte ezani i zakonshëm por një këngë e cila kur këndohet protagonistët arrestohen.
Ngjarja ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, dhe sigurisht kritikët e Erdogan, pjesa më e madhe banorë të Izmirit, një qytet që qeveriset prej vitesh nga partia republikane, kanë ripostuar këngën. Dhe ata që e kanë dëgjuar kanë qenë të shumtë me që pjesa më e madhe e turqve ndodhet në shtëpi si pasojë e masave kundër përhapjes së koronavirusit.
Autoritetet e qeverisë reaguan menjëherë. Drejtoria për çështjet fetare ka nisur hetimet e brendshme dhe prokuroria e Izmirit gjithashtu. Kërkohen jo vetëm ata që kanë vendosur këngën, por dhe ata që e kanë shpërndarë ngjarjen në rrjetet sociale me akuzën e ofendimit të vlerave fetare, mjaftueshëm për t’u dënuar me burg.
Të gjithë mediat pro qeverisë kritikuan episodin duke folur për skandal dhe sulm të poshtër kundër xhamive. Për shkak të emergjencës së pandemisë, vendet e kultit janë mbyllur prej muajsh në Turqi. Por do të jenë pikërisht xhamitë që do të hapen të parat, më parë se shkollat dhe futbolli. /abcnews.al