Fabiola Hoxha kujton emocionet e para në ekran

schedule20:25 - 14 Gusht, 2020

schedule 20:25 - 14 Gusht, 2020

Spikerja e Abc News, Fabiola Hoxha është shfaqur ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim çdo ditë në studion e lajmeve.

Fabiola ka rrëfyer në një bisedë të ngrohtë për gazetaren Irini Meçe në “Edicionin Veror”, nga Divjaka, momentet e saj të para si spikere në Abc News.

Hoxha kujton se në transmetimin e parë në studio kishte ujë me sheqer dhe pinte pas çdo kronike.

“Në transmetimin e parë…jam ulur në studio, kisha një gotë me ujë dhe sheqer dhe pas çdo koke lajmi që lexoja unë do pija ujin me sheqer. Nuk isha unë, nuk dua ta kujtoj ndonjëherë. Ka qenë dita që më ka shkaktuar emocionet më të forta. Transmetimi live ka emocion. Tani nuk më shkakton panik, nuk më shkakton ato të dridhurat e gjunjëve, nuk jam në ato nivele, por kam emocione sepse transmetimi live të ngarkon me përgjegjësi të madhe”, u shpreh ajo.

Më tej, gjatë bisedës Fabiola rrëfen edhe një ndër gafat që i ka mbetur në mendje gjatë transmetimit live.

“Në fillim kam pasur shumë sepse jam natyrë shumë emocionale. Kam bërë lapsuse që më kanë shkaktuar të qeshura pafund sa është detyruar të futen edhe reklama. Në vend të thoja pilot, thashë idiot. Kjo ka qenë epike. Ka qenë një ndër ato gafat që nuk harrohen. Nuk e di pse duhet të thoja idiot në transmetim live, por ja që ndodhi. Ka qenë një mbulim për ndeshjen Shqipëri-Izrael. Kur avioni pëson një avari piloti detyrohet të kthehet në Rinas dhe unë do të lexoja “piloti detyrohet të kthehet në aeroportin e Rinasit” dhe ai po shpëtonte të gjithë skuadrën unë e konsiderova idiot. Mbaj mend që kam pasur redaktorin pak metra nga studio, është futur sigla dhe i thashë, ‘më fal unë kam thënë idiot apo më bën veshët’ . Pashë që ai po qeshte me lot dhe regjia që po qeshte,  u thashë “çuna reklama’ se unë nuk e vazhdoj dot më”, u shpreh Fabiola.

Hoxha ka rrëfyer edhe njohjen e saj me partnerin Indrit Hoxha. Gazetarja tregon se ka qenë një njohje mjaft e veçantë, pasi rrugët e tyre janë kryqëzuar kur ajo ishte gazetare e kronikës së zezë, ndërsa ai një nga eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike.

“Ne jemi njohur në burg. Jo se është fjalë e madhe. Unë kam qenë te kronika e zezë, ka qenë një protestë në atë kohë e organizuar nga PD, dhe u shqoëruan eksponentët. Indriti është eksponenti kryesor i PD, dhe duke raportuar gjithë ditën që të dilte dikush, dhe doli Indrit Hoxha. Që nga ai moment nuk më është ndarë Indriti për tre vite me radhë. Shumë kohë më pas kemi dalë për kafe. Në kafen e parë që kemi dalë dhe deri sot nuk jemi ndarë. Është njeri imponues dhe shumë këmbëngulës. Kur i them: ‘si u lidhëm bashkë’, ai më thotë, ‘jo ne nuk u lidhëm, por unë të kam rrëmbyer”, tregoi Fabiola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!