Në të ardhmen, tatuazhet do të jenë në gjendje të zbulojnë gjendjen tonë shëndetësore

schedule09:52 - 1 Gusht, 2023

schedule 09:52 - 1 Gusht, 2023

Tatuazhet konsiderohen si një nga format më të vjetra të artit, i praktikuar prej mijëra vitesh në kultura të ndryshme të botës. Por tani disa shkencëtarë besojnë se brezi i ardhshëm i tatuazheve do të jetë diçka më shumë se kaq, pasi ato do të na ndihmojnë të monitorojmë me saktësi shëndetin tonë.

“Krijimi i pigmenteve të ‘tatuazheve të zgjuara’ që mund të injektohen nën lëkurë për të monitoruar biomarkerët specifikë në trupin e njeriut kërkon bashkëpunim midis shkencëtarëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve,” tha për CNN, Dr. Ali Jetisen, një studiues në Departamentin e Inxhinierisë Kimike në Imperial College London.

Koncepti i tij zëvendëson bojën konvencionale të tatuazheve me “materiale funksionale”, duke krijuar “tatuazhe që ndryshojnë ngjyrën në përgjigje të stimujve të ndryshëm“, si ndryshimi i niveleve të sheqerit në gjak për njerëzit me diabet, monitorimi i funksionit të veshkave dhe mëlçisë ose hidratimi i trupit.

Jetisen filloi punën e tij si studiues postdoktoral në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Së bashku me studiuesit e tjerë nga Harvardi dhe Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, ai prezantoi një koncept të quajtur “Humnera Dermale” në 2017.

Në prezantimin e tyre të konceptit, katër biosensorë ndryshuan ngjyrën në përgjigje të “tre informacioneve biokimike në lëngjet e trupit“, duke përfshirë sheqerin në gjak dhe pH.

“Shpresojmë që këto teknologji inovative do të jenë një platformë e përgjithshme për përdorimin e teknologjive diagnostikuese,” vuri në dukje Jetisen, duke përfshirë “një gamë të gjerë sensorësh të implantueshëm dhe të injektueshëm që mund të raportojnë dhe shfaqin statusin e shëndetit të njeriut në kohë reale“./abcnews.al