Në solidaritet me Gazën, shtete arabe hyjnë në grevë

schedule15:38 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 15:38 - 11 Dhjetor, 2023

Punëtorë, biznese dhe institucione kanë marrë pjesë në një grevë të përgjithshme të hënën, në disa vende arabe, për të shprehur solidaritet me Gazën, dhe duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Në Jordani, dyqanet janë mbyllur duke treguar për pjesëmarrjen e tyre në grevë. Në Liban janë mbyllur shkollat dhe institucionet qeveritare.

Bizneset, shkollat dhe zyrat qeveritare janë mbyllur nëpër pjesë të Bregut Perëndimor. Në raportimet e mediave është thënë se punëtorë të transportit publik, bankave dhe universiteteve, i janë bashkuar grevës. Shumë fraksione palestineze dhe grupe të aktivistëve kanë bërë thirrje për grevë globale të hënën, me kërkesën për armëpushim në Rripin e Gazës.

Izraeli e ka bombarduar të hënën qytetin kryesor të jug të Gazës, Han Junis, pasi grupi palestinez Hamas, ka paralajmëruar se asnjëri prej pengjeve izraelite nuk do të largohet gjallë prej territorit, derisa të përmbushen kërkesat për lirim të të burgosurve.

Hamasi, grupi radikal që udhëheq Gazën, është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Hamasi e ka nxitur këtë luftë, pasi ka kryer sulmet më vdekjeprurëse ndonjëherë në tokën izraelite, më 7 tetor, duke  vrarë rreth 1.200 njerëz, sipas të dhënave izraelite, dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Izraeli është përgjigjur me ofensivë ushtarake, e cila e ka shndërruar një pjesë të mirë të Gazës në gërmadhë, dhe ka vrarë rreth 17.990 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

/abcnews.al