Në shënjestër edhe kampi i trupave shqiptare, rusët provokojnë: Si mund të pushtojmë tre shtetet Baltike dhe Suedinë me një goditje

schedule15:39 - 16 Mars, 2022

schedule 15:39 - 16 Mars, 2022

Televizioni shtetëror rus ka transmetuar një diskutim mbi pushtimin e shteteve baltike, ndërsa nga ana tjetër NATO po forcon aleatët e Evropës Lindore me mijëra trupa të tjera.

Një ish-oficer i lartë paraqiti një skenar rrëqethës për ushtrinë e Putinit që të pushtonte vendet e NATO-s Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë, si dhe të kapte pjesë të Suedisë neutrale.

Mijëra trupa të NATO-s po stërviten së fundmi pranë kufirit rus dhe po hartohen plane për një prani të madhe të përhershme në Evropën Lindore.

Pasi fituan pavarësinë e tyre kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, të tre shtetet baltike iu bashkuan NATO-s dhe vazhdojnë të kenë frikë se Vladimir Putin ka plane për destabilizimin dhe pushtimin, siç ka bërë në Ukrainë.

Pikërisht një skenar i tillë u përshkrua në kanalin televiziv shtetëror rus Rossiya 1 nga koloneli Igor Korotchenko. Eksperti pro Kremlinit tha: “Kështu mund të duket skenari për pusahtimin e vendeve baltike”.

Duke përdorur harta në anglisht, ai përshkruan me detaje të liga skenarin e pushtimit. Në fillim “u shkaktohet një goditje masive radio-elektronike ruse pasi të gjithë radarët e NATO-s verbohen dhe nuk shohin asgjë”, thotë ai.

Duke vizatuar në hartë gjithnjë e më shumë vija të kuqe, ai më pas i drejtohet mënyrës se si Rusia do t’i mposhtë armiqtë e saj.

“Në këtë kohë, në ishullin suedez Gotland, zbarkojnë avionët ushtarakë rusë, duke ofruar sisteme raketore anti-ajrore S-400 dhe sisteme kundër anijeve bregdetare Bastion”, shtoi ai.

“Ata janë vendosur dhe tani për tani askush nuk di apo sheh asgjë. Perëndimi pyet veten: “Pse ne nuk shohim asgjë? Çfarë ndodhi me radarët tanë?” Më pas ai shpjegon se “i gjithë deti Baltik” do të ishte më pas nën shënjestrën e forcave ruse.

Sakaq, pjesë e objektivave të paraqitura nga zyrtari rus në Letoni është edhe baza në “Kamp Adazi” ku ndodhen edhe trupat shqiptare, bashkë me ato të NATO-s.

Tre shtetet baltike ishin kombe të pavarura derisa u morën nga ish-Bashkimi Sovjetik në 1939. Vendet rifituan lirinë e tyre tre dekada më parë kur komunizmi u rrëzua. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!