Policia e Shtetit vijon operacionin e saj në kuadër të respektimit të masave kufizuese.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur 522 masa administrative ndaj qytetarëve që janë kapur pa maska në rrugë.
Ndërkohë 12 prej tyre u shoqëruan në komisariat pasi nuk kanë treguar mjete identifikimi gjatë momentit të ndalimit.
Në të gjithë vendin, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.
Njoftimi i policisë:
Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe në orët e mbrëmjes.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse, pasagjerë pa maska në automjetet e transportit publik dhe pasagjerë pa maska në automjetet private, të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesin e automjetit. Për këto raste, shërbimet e Policisë së Rendit dhe ato të Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë vendosur 522 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.
Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19./abcnews.al