Duke sinjalizuar fillimin e një armëpushimi në Gaza, qindra kamionë plot me ndihma humanitare po presin në vendkalimin Rafah midis Egjiptit dhe Gazës për të kaluar në Rripin e bllokuar, sipas një raporti të CNN.
Sipas një zyrtari egjiptian ka një radhë të madhe kamionësh dhe automjetesh të tjera që presin “dritën jeshile” për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Rafah, në Gazën jugore.
Radhë të pafundme kamionësh janë krijuar pasi fillimisht u vlerësua se armëpushimi do të niste mëngjesin e sotëm. Por diçka e tillë nuk pritet të ndodhë para të premtes, që do të thotë se edhe më shumë automjete do të mbërrrijnë me ndihmën e vendeve të huaja dhe organizatave joqeveritare.
Vlerësimi i organizatave ndërkombëtare është se armëpushimi katërditor për të cilin është rënë dakord nuk mjafton aspak për të ndihmuar popullsinë dhe strukturat kryesore shëndetësore në enklavën palestineze.
Nuk dihet nëse karburanti është përfshirë në shpërndarjen e ndihmave për momentin, por është e sigurt se do të bëhet një përpjekje për t’u dorëzuar sasi të karburantit organizatave bamirëse të pranishme në Gaza, së bashku me pompat e ujit që i nevojiten populates, sipas raportimeve.
/abcnews.al