Në datë 20 gusht, pak ditë pas vendimit për pranimin e afganëve në Shqipëri, qeveria ka miratuar një vendim duke akorduar 6.7 milionë lekë për Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues për rikonstruksionin e godinës qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese. Vendimi specifikon faktin që për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, azilantët, Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës. Megjithatë kjo nuk do të thotë që refugjatët afganë do të strehohen në këtë qendër, por në zona të ndryshme; në Tiranë te godinat e Qytetit Studenti, Durrës, Berat dhe Lezhë për një periudhë tranzitore deri në momentin që do të transferohen në destinacionin final, që do të jetë SHBA-ja.
Vendimi i plotë:
VENDIM Nr. 499, datë 20.8.2021 PËR MIRATIMIN E RISHPËRNDARJES SË FONDEVE BRENDA PROGRAMEVEBUXHETORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 137/2020,“Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të nenit 44, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Në buxhetin e vitit 2021 të bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Brendshme, si më poshtë vijon:
- a) për programin “Planifikim menaxhimi”, në artikullin 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, shtohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh;
- b) për programin “Policia e Shtetit”, në artikullin 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, të pakësohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh.
- Fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh të përdoret nga Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues, për kryerjen e procedurës së prokurimit me objekt: “Rikonstruksion i godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë.
- Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
/Abcnews.al