“Në primare votuan 55 mijë anëtarë dhe simpatizantë të PD”, Berisha: 15% më shumë se çdo votim tjetër

schedule17:45 - 14 Dhjetor, 2022

schedule 17:45 - 14 Dhjetor, 2022

Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur në seli pasditen e sotme. Kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur te përzgjedhja e kandidatëve të cilët do të garojnë përballë atyre të mazhorancës në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Duke theksuar se Primaret, ishin një proces që zhvillohej për herë të parë në vendin tonë, Berisha tha se morën pjesë 55 mijë anëtarë të simpatizantë të kësaj force politike.

Berisha: Të nderuar anëtarë të kryesisë së PD-së, sekretarë të kësaj partie. Kjo mbledhje është thirrur në një moment shumë të rëndësishëm, si në rrafshin elektoral edhe politik. Përfunduan me sukses përveç se në dy degë, zgjedhjet e kandidatëve për qytetarë të parë të bashkive të vendit.

Ky ishte një proces i cili zhvillohej për herë të parë me këtë proporcion, transparencë dhe pjesëmarrje. PD në përputhje me përcaktimet e statutit të rithemelimit të saj të 11 dhjetorit, bëri realitet premtimin e saj dhe sanksionimin e këtij premtimi, se pushtetarët vendorë dhe ata qendror, deputetët do të zgjidhen me votën e anëtarësisë së saj dhe simpatizantëve të saj. Në garë pati mbi 200 kandidatura, në tërësi veprimtarë të shquar dhe të vendosur të PD-së, por në garë morën pjesë edhe veprimtarë të shquar të shoqërisë civile dhe shqiptarët të shquar në emigracion.

Në këtë garë, e para me këto standarde në historinë e vendit, votuan për qytetarët e parë të bashkive, rreth 55 mijë anëtarë dhe simpatizantë të PD. Kurrë ndonjëherë në këtë parti kaq vota nuk janë hedhur. Ky votim tejkaloi të paktën me 15 % të gjitha votimet e tjera. Ky është një rast për të falënderuar të gjithë kandidatet dhe kandidatët që garuan, për të shprehur një mirënjohje të thellë të gjithë atyre që organizuan fushatën e tyre, të gjithë anëtarëve e simpatizantëve që morën pjesë në votim./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!