Në pranga për tenderin, Gjykata refuzon rekursin e Tushes, ish-kryebashkiaku s’lëviz nga “kafazi”

schedule16:19 - 8 Shkurt, 2022

schedule 16:19 - 8 Shkurt, 2022

Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i cili u arrestua për abuzimin tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës bashkë  me ish-vartësit e tij.

Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, kështu thuhet në përgjigjen e Gjykatës, siç raporton gazetari Ermal Vija. Ish-kryebashkiaku bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar lirinë, por ajo e ka refuzuar rekursin duke mos e kaluar as për shqyrtim.

Gjykata vendosi mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe, Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tushe u arrestua me 6 korrik bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezultoi se Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK  ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut. Një tjetër episod  kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”. /abcnews.al