Pikërisht në këtë të dielë në të gjithë vendin do të hapen objektet e kultit, të mbyllura për shkak të pandemisë së Covid.
Mesditën e sotme, kryeministri Rama e njoftoi këtë vendim në rrjetet sociale.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në vendin tonë, njoftoi se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhami sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.
Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” tek Pazari i ri.
Ceremonia do të fillojë në orën 05:30 të mëngjesit me lexim Kurani dhe lutjesh, ndërsa falja do të bëhet në orën 06:00 dhe besimtarët do të udhëhiqen nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu.
ABC News pa disa prej xhamive të kryeqytetit, ku vuri re se po bëhen të gjitha përgatitjet dhe po merren masat e sigurisë për të gjithë besimtarët.
Një pjesë e xhamive kanë vendosur edhe tunele dezinfektimi për besimtarët të cilët i drejtohen xhamive për t’u falur në mënyrë sa më të sigurt, duke shmangur kështu edhe çdo mundësi infektimi nga Covid-19. /abcnews.al