Në polici me urdhër të SPAK/ Kush është Safet Bajri, i ‘forti’ i Shkodrës i akuzuar për disa ngjarje kriminale

schedule15:30 - 21 Shkurt, 2025

schedule 15:30 - 21 Shkurt, 2025

Safet Bajri u shoqërua sot në ambjentet e policisë, me urdhër të SPAK. Bajri fillimisht u dërgua në policinë e Shkodrës, më pas në drejtorinë e Tiranës e më tej në bllokun e sigurisë. Po kush është Safet Bajri?

Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës më 21 shtator 2018 arrestuan “të fortin” e Shkodrës Safet Bajri, apo siç njihet ndryshe Safet Rustemi. Ai u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut”, në kryeqytet, ndërsa burimet thanë se mbante edhe një armë pa leje. Arrestimi i Bajrit, në atë kohë 34 vjeç u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej afro një viti, pas dyshimeve për përfshirjen e tij, apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës në Bruksel.

Mediat Belge i kushtuan për disa ditë me radhë një rëndësi të veçantë Safet Bajrit (Rustemit), si shqiptari i dënuar si udhëheqës i një organizate kriminale aktive në Bruksel në tregtinë e drogës dhe prostitucionit. Emri i Bajrit nisi të lakohej nga fundi i qershorit dhe fillimi u korrikut të këtij viti. Ndërsa mediat belge raportonin se më 25 janar në vitit 2017, Safet Bajri ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte skenën e drogës dhe prostitucionit në Bruksel. “Për këtë qëllim, ata (banda kriminale) nuk ‘kanë kursyer asnjë mjet’: shkatërrimi i pronës, përdorimi i armëve të zjarrit, tentativa për vrasje, zhvatje, trafikim të qenie njerëzore, në këtë rast gratë e reja të cilat u detyruara të prostituonin. Bajri dhe bashkautorët e tij zakonisht silleshin shumë dhunshëm”, shkuarin mediat belge. Sipas tyre, më 22 shkurt 2014, ai ishte dënuar nga Gjykata Penale e Brukselit me një burgim prej 9 vjetësh si kreu i një bande kriminale që merret me importin dhe trafik droge. Po të njëjtën ditë, ai u dënua me pesë vjet burgim për posedim dhe trafikim droge dhe heqje të paligjshme të lirisë përmes kërcënimeve me vdekje.  “Kumbari shqiptar i liruar gabimisht nga gjykata belge”, ky ishte titulli i një artikulli të publikuar në korrik të një viti më parë. E përditshme belge “dhnet.be” raportonte se si Safet Bajri u deportua në Shqipëri për shkak të një gabimi teknik të gjykatës belge. “Gabimi qëndron në faktin se Apeli e dënoi me 9 vite burg, por nuk urdhëroi arrestimin e tij, por deportimin në Shqipëri dhe të gjitha shpenzimet e udhëtimit u paguan nga Belgjika”, raportonte media belge asokohe, duke shtuar se pas depërtimit, Bajri shijonte lirinë në fshatin Dobraç të Shkodrës. Por, tashmë autoritet belge janë vënë sërish në ndjekje të tij. Më 1 maj të vitit 2015, kryetari i Bashkisë së Brukselit Yvan Mayer përgëzoi aksionin e Policisë që çoi në arrestimin e Bajrit dhe çmontimin e organizatës së tij kriminale, duke e cilësuar Safet Bajrin si “Godfather-in” (Kumbarin) e ri.

Rezultati impresionues për goditjen e grupit “Bajri” më 21 shtator të vitit 2018, kur u arrestuan 11 persona, filloi duke u zbehur muaj pas muaji dhe në shkurt të vitit 2020 të dyshuar mbetën vetëm 6. Grupi i goditur me aq bujë në Shkodër e Tiranë dhe që supozohej të ishte një ndër dosjet e para të SPAK, i kaloi për hetim Prokurorisë së Shkodrës. Madje ai që konsiderohej si personi më “i rrezikshëm”, Safet Bajri, u akuzua vetëm për përcaktim të rezultatit sportiv. Më 6 shkurt 2020, në sallën e Gjykatës së Posaçme, dy prokurorë të SPAK deklaruan se nuk e provuan dot ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal të ashtuquajtur “Bajri” dhe se çështja duhet të shkojë për kompetencë pranë Prokurorisë së Shkodrës. Një kërkesë e tillë u pranua edhe nga Gjykata e Posaçme. Në seancën e radhës, kur pritej informacion për veprimet e mëtejshme të SPAK, dy prokurorë thanë se nga 6 të dyshuar që kanë mbetur në hetim për këtë çështje, vetëm 2 prej tyre dyshoheshin për grup te strukturuar. Por duke qenë se grupi duhet të përmbajë më tepër se tre persona, atëherë bie akuza për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Behar Bajri u hetua në Shkodër për vrasje, Safet Bajri për paracaktim të rezultatit sportiv së bashku me Asmer Bilalin. Ilir Bajri u hetua për gjobëvënie, Ismet Idrizi për armëmbajtje pa leje dhe Emrah Plaku për ndërtim të paligjshëm. Në mars të vitit 2023, Safet Bajri u lirua me kusht nga burgu i Fierit dhe që nga ajo kohë nuk kishte më akuza që rëndonin mbi të, derisa u arrestua ditën e premte, më 21 shkurt 2025, me urdhër të SPAK, i dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 dhe grup të strukturuar kriminal.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!