Bjellorusia ka nisur pjesën e dytë të stërvitjes ushtarake që po bën si përgjigje ndaj “Defender-Europe” që bëhet në territore të NATO-s. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë Viktor Khrenin të martën në një video të publikuar në kanalin e tij në Telegram.
“Kjo është e gjitha e planifikuar si pjesë e një përgjigje adekuate ndaj stërvitjes ‘Defender-Europe’ që po bëhet në territorin e vendeve të NATO-s që nga 1 maji,” tha Khrenin.
Po ashtu, ai shtoi se pala bjelloruse po i monitoron nga afër stërvitjet e NATO-s dhe po sheh “çdo lëvizje në të cilën përfshihen grupet e batalionit dhe detyrat që ata planifikojnë të kryejnë.
“Duke kuptuar kërcënimet që mund të vijnë prej tyre, ne reagojmë në mënyrë adekuate, vendosim trupat e duhura në këto zona”, shtoi ministri.
Kujtojmë se stërvitjet ushtarake të Bjellorusisë nisën në mënyrë të paparalajmëruar javën që shkoi. /abcnews.al/